Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi sot në Parlament se më 20 korrik, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të votojnë ligjin për studentët e Mjekësisë.
Sipas këtij projektligji, studentët e Mjekësisë, të cilët studiojnë në universitetin publik të vendit do të duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas të marrin diplomën.
Taulant Balla: “Na duhet të prodhojmë mjekë për Shqipërinë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, mjekë për Shqipërinë. Ky projektligj do të kthehet në ligj në datën 20 korrik dhe unë ende besoj dhe shpresoj që mes deputetëve të opozitës të ketë ende syresh që të mos bien pre e kësaj maskarade. Ka vende plot që e kanë sanksionuar këtë që po bëjmë ne. Ka eksperienca të ngjashme. Një herë të vetme është rasti më i mirë që në këtë rast të sallës mos të bini pre e një keqinformimi që t’i shkoni nga mbrapa disa zërave këtu. Ky projektligj është në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Më herët gjatë ditës së sotme Balla, tha se projektligji për punësimin e studentëve të Mjekësisë i bën mirë interesit publik.
Taulant Balla: “Janë 1200 mjekë dhe mjeke shqiptarë të cilët kanë përfunduar studimet në Shqipëri dhe sot nuk jua ofrojnë këto shërbim qytetarëve shqiptarë. Ky është një investim publik dhe ne duam që të kemi mjekë dhe mjeke në çdo cep të territorit dhe të mos mungojnë mjekët, për këtë na kanë sjellë shqiptarët këtu. Ju i shikoni njerëzit si vota dhe sa herë del një pakënaqësi, ju jeni të gatshëm të merrni krahun e kundërt. Mos harroni se jeni deputetë të Shqipërisë. Ky profesion merret përmes një investimi publik dhe mos harroni që kemi 1500 mjekë dhe mjeke që ofrojnë shërbim shëndetësor dhe na mbetet ende punë përpara për të rritur mjekë në vend dhe për ta çuar në nivelin e rajonit, 2,6 mjekë për 1 mijë banorë dhe në emër të grupit parlamentar, e përshëndes vendimin e djeshëm të Qeverisë Shqiptare për ta përfshirë këtë politikë të rëndësishme. Na duhen mekanizma për të motivuar mjekët dhe për të plotësuar nevojat e mjekëve. Studentëve aktualë do të ofrohet mundësia për të nënshkruar marrëveshje për të punuar në profesionin e mjekëve në Shqipëri. Ata që nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen, është shumë e thjeshtë, do të paguajnë detyrimin sepse është investim publik dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve shqiptarë”.