Pesë vitet nga 2014 në 2019-n janë periudha më e nxehtë që është regjistruar ndonjëherë. Lajmi konfirmohet nga një raport i Kombeve të Bashkuara në prag të samitit për klimën në Nju Jork ku do të marrin pjesë 60 liderë të ndryshëm të botës.
Temperatura mesatare është rritur me 1.1 gradë në krahasim me periudhën nga 1850-1900, sipas raportit të publikuar nga organizata meteorologjike botërore që merret me gjendjen e ndryshimit të klimës.
Edhe nëse të gjitha impenjimet e marrëveshjes së Parisit do të ishin mbajtur, planeti tokë do të jetë rreth 3 gradë më i ngrohtë deri në fund të shekullit. Paralajmërimi vjen nga shkencëtarët të cilët kërkojnë një pesëfishim të përpjekjeve në betejën për ndryshimet klimatike.