Kulturë 5 vjet nga humbja e aktorit të madh, Xhevdet Ferri

5 vjet nga humbja e aktorit të madh, Xhevdet Ferri

5 vjet më parë u nda nga jeta aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit, Xhevdet Ferri. Lajmi për humbjen e tij ishte tronditje për rrethin e kineastëve dhe studentëve të arteve por edhe për gjithë publikun që mban ende në kujtesë karakteret e krijuara nga ai në kinema e teatër.

Xhevdet Ferri lindi në qytetin e Durrësit, më 26 nëntor të vitit 1960 dhe u nda nga jeta më 16 janar 2020, në moshën 59-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë.

Xhoda, siç njihej nga kolegë e studentë, u diplomua në degën e artit dramatik të Akademisë së Arteve të Bukura në vitin 1982, ku menjëherë pas përfundimit të studimeve me rezultate të larta, mbeti pedagog i mjeshtrisë së aktorit. Pak vite më vonë ai shërbeu edhe si Dekan pranë Fakultetit të Artit Skenik.

Gjatë karrierës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por ishte ekrani i kinemasë ai që do ta bënte edhe më të njohur për publikun. Në kinema ai u përkushtua dhe shkëlqeu me talentin e tij duke interpretuar edhe më shumë personazhe se në teatër.

Mes roleve te shumta që interpretoi në kinematografi mund të përmendim rolin e Trimit tek “Përrallë nga e kaluara”, më 1987; rolin e Sakos tek “Dasma e Sakos”, më 1998; Martinin tek “Treni niset në shtatë pa pesë”, 1988; shoferin e kamionit tek “Gjoleka- djali i Abazit”, 2006; Gjonin tek “Vitet e pritjes”, Gorin tek “Dhe vjen një ditë”; Agronin tek “Hije që mbeten pas”; Palin tek “Besa e Kuqe”; Petritin tek “Fushë e blertë, fushë e kuqe”; Astritin tek “Gjurmë në kaltërsi”; Benin tek “Era e ngrohtë e thellësive” e shumë të tjerë.

Interpretimi i tij i fundit ka qenë në filmin “Delegacioni”, në vitin 2018. Në pjesën më të madhe të filmave Xhevdet Ferri pati rolin e protagonistit, megjithëse në jetën reale ishte një figurë që karakterizohej nga modestia. Për rolin e tij në “Dhe vjen një ditë”, Xhevdet Ferri u nderua me medaljonin e Festivalit të Filmit 1986. Ai ra në sy për natyrshmërinë, qetësinë e thjeshtësinë shoqëruar nga karakteri i drejtpërdrejtë i të vepruarit.

Xhoda ishte bashkëshort i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka një vajzë, Borën.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Ishte specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996–1998 ishte deputet i PD-së në Kuvend. Në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe kryetari i parë i kësaj shoqate.