Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka kërkuar që të vijohet puna për zbatimin e Reformës në Drejtësi, ashtu siç duhet dhe të jetë me standardet evropiane.
Në një konferencë për 5-vjetorin e Reformës në Drejtësi, Soreca kërkoi që reforma të vijohet me pavarësi dhe integritet dhe të luftohet korrupsioni. Sipas tij Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme si për Shqipërinë dhe për BE-në.
“Është e rëndësishme që të kërkohet më shumë lidership nga i gjithë spektri politik. Vijimi i reformës në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore, në mënyrë që të ketë një pavarësi dhe integritet. Objektivi kryesor për vitet e ardhshme është që të punohet fort që të zbatohet reforma ashtu siç duhet. Duhet të ketë një kornizë të qartë ligjore dhe të luftohet korrupsioni.
Duhet që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të ketë standardet evropiane. Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme si për Shqipërinë dhe për Bashkimin Evropian. Ne nuk do të ndalojmë së punuar, pasi duam ta shohim Shqipërinë sa më afër bashkimit Evropian, ky ka qenë angazhimi im kryesor që nga dita e parë e punës këtu në Shqipëri. Reforma në drejtësi ka ndihmuar Shqipërinë për ta afruar drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Soreca.