Autoritetet shëndetësore miratuan të enjten protokollin higjienosanitar që duhet të ndjekin baret dhe restorantet për të parandaluar përhapjen e COVID-19 gjatë aktivitetit të tyre ekonomik.
Mirëpo këto biznese duket se do ta kenë të vështirë t’i zbatojnë me përpikmëri masat e kërkuara, kjo më shumë për faktin se janë në vështirësi ekonomike.
Enri Jahaj, anëtar i kryesisë së shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, foli për Euronews Albania për sfidën që kanë përpara, siç mund të jetë aktiviteti vetëm në mjedise të hapura, pagesa me kartë dhe masa të rrepta higjienike.
“30 deri në 40 për qind e bareve dhe restoranteve mund të mos hapen fare sepse operojnë në mjedise të mbyllura, ndërsa nuk kemi ende një datë, qoftë dhe të përafërt, për hapjen edhe të mjediseve të brendshme”, u shpreh Jahaj.
“Ne operonim me pagesë me kartë edhe më parë, por këto pagesa i kishim në masën rreth 10 për qind. Rregullat e reja specifikojnë pagesën me kartë në arkë dhe nuk besoj se do të kemi probleme për ta kryer këtë”, – shtoi Jahaj teksa kujtoi se ende mbetemi në gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Sipas shoqatës së bareve dhe restoranteve periudha e dy muajve të fundit ka qenë tejet e vështirë për këto biznese, pasi përveç stafeve, në aktivitet të mbyllur, atyre u është dashur të paguajnë edhe taksat, qiratë, apo furnitorët.
Shoqata ka kërkuar drejtuar disa kërkesa për qeverinë qendrore dhe vendore. Jahaj tregoi se bashkive i është kërkuar shtyrja e taksave deri në fund të vitit dhe heqja e tarifës së zënies së hapësirave publike, ndërsa nga qeveria ulja tatimit mbi vlerën e shtuar në 6 për qind, shtyrjen e taksave deri në fund të dhjetorit – tatimfitimi – dhe mundësinë për grante për të përballuar investimet e kryera, qiratë dhe furnitorët.
“Kërkesat nuk na duken të ekzagjeruara sepse realisht jemi në situatë të vështirë, deri në fund të vitit, nëse nuk ndërhyhet, rreth 50 për qind e bizneseve tona mund të mbyllen”, – u shpreh Jahaj teksa këmbënguli se nuk po mendojnë të rrisin çmimet.
Përveç kërkesave ekonomike, shoqata ka kërkuar gjithashtu edhe zgjerimin e fashos së orarit të lejuar, pasi orari 05:00-17:30 nuk i favorizon për aktivitetin e tyre.