Aktualitet 50 mijë euro për të ekzekutuar biznesmenin, të gjitha detajet për vrasjen...

50 mijë euro për të ekzekutuar biznesmenin, të gjitha detajet për vrasjen e Behar Sofisë

Katër persona, të konsideruar nga policia si vrasës me pagesë janë vënë në pranga si autorë të dyshuar të ekzekutimit të 66-vjeçarit Behar Sofia mëngjesin e 25 Shkurtit në qendër të Tiranës. Rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje e ka pasur 24-vjeçari Ernejt Shyti.

I riu nga Tirana, menjëherë pas ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi ku edhe u vu në pranga në një operacion të koordinuar me autoritetet vendase. Ai nuk ka precedentë penalë në të kaluarën dhe pas marrjes në pyetje ka zbuluar edhe bashkëpunëtorët në krim. Ata janë Skënder Vathi, 54 vjeç dhe Leonar Xhixha 30 vjeç nga Fushë Kruja.

Xhixha është dënuar në të kaluarën për vrasje të mbetur në tentativë. Në pranga është vënë edhe 28-vjeçari Xhuljano Visha i dënuar më parë për vjedhje. Policia thotë se në bashkëpunim ata kanë organizuar vrasjen duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij.

Provat

Hetuesit thonë se kanë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike dhe karta SIM që duke u analizuar mund të identifikojnë edhe autorëve të tjerë të përfshirë në këtë krim. 24-vjeçari Ernejt Shyti u zbulua nga gjurmët që kishte lënë në rrobat e braktisura pas ngjarjes. Ai ka rrëfyer se vrasja është bërë kundrejt pagesës dhe se i ishin premtuar 50 mijë euro, por është e paqartë se cilët ishin porositësit dhe motivi i ekzekutimit.

Paratë për “punën e kryer”

Pas identifikimit të Shytit, policia e ka vënë atë nën përgjim me qëllim zbulimin e personave të tjerë, me të cilët kishte lidhje dhe që mund të kishte organizuar vrasjen. Gjatë përgjimeve u konstatua se Ernejt Shyti komunikonte me pjesëtarët e tjerë të grupit (Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha) që organizuan vrasjen, duke iu kërkuar paratë për “punën e kryer”.

Policia dyshon se organizatori i ekzekutimit të Sofisë është Skënder Vathi, i cili ka marrë “porosinë” nga persona që nuk janë zbuluar ende nga policia. Vathi ka dalë garant për ekzekutimin e Sofisë duke nisur të kërkojë një person që mund të tërheqë këmbëzën si edhe të tjerët që të bëjnë largimin e tij nga vendi i ngjarjes.

Gjatë kësaj periudhe, Vathi ka kontaktuar me Leonar Xhixhën për të gjetur një person që mund të kryente vrasjen e Behar Sofisë. Ndërkohë, Xhixha komunikon me Xhuliano Vishën, i cili i është shprehur se njihte dikë që mund ta kryente “porosinë” duke folur më pas pikërisht me Enejt Shytin, të cilin e kishte njohur në burg.

Shyti kishte ndenjur disa muaj në burg për vjedhjen e disa fshatin e tij ku edhe është njohur me Xhuliano Vishën.

Organizatorët i kanë premtuar Shytit 50 mijë euro menjëherë pas ekzekutimit të Behar Sofisë duke organizuar edhe mënyrën se si ai do të hynte dhe dilte nga vendi i ngjarjes.

Policia ka zbuluar se armën e krimit, Ernejt Shytit ia ka siguruar Skënder Vathi, ndërsa Leonar Xhixha ka bërë të mundur nxjerrjen e tij nga Tirana pas vrasjes.

Të riut, pritet t’i jepet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.

66-vjeçari Behar Sofia, merrej me biznese, por ka pasur mjaft konflikte në të kaluarën. Ai u arrestua në Turqi në 1998 i përfshirë në një rrjet të trafikut të heroinës.