Po fillon një epokë e re e eksplorimit të hapësirës. Ajo do të ketë nevojë për sundimin e ligjit dhe për një sistem të kontrollit të armëve për të lulëzuar
The Economist
Momenti kur, 50 vjet më parë, Neil Armstrong shkeli në Hënë, u shoqërua me ndjesi të ndryshme në mbarë botën, disa u frikësuan, disa u ndien tepër krenarë për këtë arritje dhe të tjerë thjesht u habitën. Pas kësaj arritje u mendua se njeriu mund të eksploronte universin dhe mund të shkonte kudo ku do të dëshironte, sepse tek e fundit njeriu tashmë ishte i sigurt për të shkuar kudo ku vullneti i mendjes së tij do të vendoste, shkruan The Economist.
Por, jo. Udhëtimi në Hënë ishte thjesht një objektiv i arritur dhe që nuk kishte asnjë qëllim në vetvete. Ai u përdor më shumë si një instrument për të treguar dhe për të nxjerrë në pah aftësitë e jashtëzakonshme të Amerikës. Deri më sot, 571 njerëz kanë shkuar në orbitë. 50 vitet e ardhshme do të jenë padyshim ndryshe. Kostot në rënie, teknologjitë e reja, ambiciet kineze dhe ato indiane dhe një gjeneratë e re sipërmarrësish premtojnë një epokë të guximshme në drejtim të zhvillimit hapësinor. Ajo me siguri do të shikohet nga perspektiva e turizmit nga ana e të pasurve dhe si një mundësi për të ofruar shërbime më të mira komunikimi për të gjithë, dhe në një afat më të gjatë ajo mund të përfshijë shfrytëzimin e mineraleve dhe transportimin masiv.
Hapësira do të konsiderohet gjithnjë e më shumë si një zgjatim i Tokës, një zonë për firmat dhe individët e thjeshtë dhe jo vetëm për qeveritë. Por, që kjo gjë të realizohet, bota do të ketë nevojë të krijojë një sistem ligjesh për të qeverisur qiejt, si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë lufte. Zhvillimi i hapësirës deri më tani është përqendruar kryesisht në lehtësimin e aktiviteteve të komunikimeve satelitore për transmetim dhe lundrim. Dy janë gjërat që po ndryshojnë. Së pari, gjeopolitika po nxit gjithnjë e më shumë dërgimin e njerëzve në hapësirë. Kina planifikon të ketë vendosur njerëzit e saj në Hënë deri në vitin 2035.
Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump dëshiron që amerikanët të jenë vendosur atje deri në vitin 2024. Kostot e ulëta të ditëve të sotme e bëjnë dëshirën në fjalë të duket lehtësisht më e përballueshme dhe më e realizueshme. Kostoja e Apollos, sipas vlerës së parave të sotme, arrinte në qindra miliarda dollarë. Së dyti, sektori privat po luan rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Midis viteve 1958 dhe 2009, pothuajse të gjitha shpenzimet që kishin lidhje me hapësirën mbuloheshin nga agjencitë shtetërore, kryesisht NASA dhe Pentagoni.
Gjatë dekadës së fundit, investimet private janë rritur me një mesatare vjetore prej 2 miliardë dollarësh në vit, ose 15% të totalit, dhe madje priten të rriten më tej. SpaceX, firma e Elon Musk, prezantoi vitin e kaluar raketën e suksesshme Falcon. Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, investon rreth 1 miliard dollarë në vit në sipërmarrjen hapësinore Blue Orgin. Po aq sa kapitali dhe idetë, edhe sektori privat po ofron efikasitet shumë më të lartë. Sipas NASA-s, zhvillimi i raketave Falcon të SpaceX duhej t’i kishte kushtuar agjencisë 4 miliardë dollarë amerikanë ,ndërkohë që ajo i kushtoi SpaceX vetëm një të dhjetën e kësaj vlere. Ekzistojnë dy modele të reja tregtare: biznesi i madh i prezantimit dhe mirëmbajtjes së satelitëve të komunikimit në orbitat e ulëta dhe biznesi i turizmit për të pasurit. Vitin e ardhshëm, me siguri do të shohim udhëtarët e Blue Origin në ekskursionet nënorbitale që ofrojnë mundësinë për të parë pamjen e skajit të lakuar të Tokës kundrejt qiellit të zi të hapësirës. SpaceX po zhvillon raketat “Starship” shumë më të mëdha se rraket e mëparshme Falcons.
Yusaku Maezawa, një manjat japonez i modës, ka bërë një parapagesë për të rezervuar një udhëtim rreth Hënës me Starship; udhëtim të cilin ai dëshiron ta ndajë edhe me një ekuipazh artistësh dhe që parashikohet të ndodhë në fillim të vitit 2023. Sipas bankës USB, mundësi të tilla mund të bëjnë që të ardhurat e industrisë hapësinore të dyfishohen deri në 800 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2030.
Më tej në të ardhmen, zhvillimi i hapësirës mund të ndryshojë tërësisht mënyrën se si njerëzit jetojnë. Z. Musk dëshiron dhe shpreson që njerëzit të fillojnë të jetojnë në Mars. Z. Bezos, njeriu më i pasur në botë, dëshiron të shohë miliona njerëz të jetojnë në stacionet e hapësirës, ndoshta përpara se udhëtimi i Neil Armstrong në Hënë të shënojë 100-vjetorin. Në një kohë kur Toka është e mbushur plot me lajme të zymta për ndryshimet klimatike, rritjen e ngadaltë ekonomike dhe politikat e dobëta, hapësira mund të duket si mundësia më e mirë që do të ofronte një mjedis optimist. Por përpara se ajo të shihej se mundësia e vetme për t’iu larguar zymtësisë së Tokës dhe problemeve të shumta që e shoqërojnë atë, një problem edhe më i rëndësishëm duhet zgjidhur më parë, një risk që duhet të shmanget sa më parë të jetë e mundur.
Edhe hapësira duhet të funksionojë në bazë të disa rregullave të caktuara të shtetit ligjor. Marrëveshja e Hapësirës së Jashtme e vitit 1967 e shpall hapësirën si “zonën e të gjithë njerëzimit” dhe ndalon çdo pretendim për sovranitet. Kjo lë shumë hapësirë për interpretim. Amerika thotë se firmat private mund të zhvillojnë burime të bazuara në hapësirë; ligji ndërkombëtar është i paqartë. A do t’u lejohet marsianëve të bëjë atë që duan me mjedisin? Kush është përgjegjës për përplasjet satelitore?
Hapësira tashmë është e mbushur me njerëz, mbi 2,000 satelitë janë në orbitë dhe NASA gjurmon mbi 500,000 pjesë të ndryshme që lëvizin në hapësirë me shpejtësi mbi 27,000 km në orë. Janë pikërisht këto pasiguri që e rrisin rrezikun e përdorimit të forcës në hapësirë. Aftësia e pashembullt e Amerikës për të projektuar forcën e saj në Tokë varet nga koleksioni i gjerë i satelitëve. Kombe të tjera, duke e ditur këtë gjë, kanë ndërtuar armë antisatelitore, siç ka bërë edhe vetë Amerika. Aktiviteti ushtarak në hapësirë nuk ka protokolle dhe as rregulla të mirëtestuara mbi të cilat duhet të veprojë.
Amerika, Kina dhe India po rrisin me shpejtësi aftësitë shkatërruese: duke verbuar satelitët ushtarakë me lazerë, duke zhdukur sinjalet e tyre në Tokë ose duke i shpërthyer ato, duke bërë që pjesët e ndryshme që lëvizin me shpejtësi të lartë të shpërthejnë nëpër kozmos. Z. Trump planifikon të krijojë një Forcë Hapësinore, dega e parë e re e Forcave të Armatosura, që kur forcat ajrore u krijuan në vitin 1947. Në prag të paradës ushtarake në festën kombëtare të Francës, që njihet ndryshe si Dita e Bastijës, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi gjithashtu formimin e një komande të re hapësinore.
Në Qiell, ashtu siç është në Tokë
Është gabim që hapësira të promovohet duke u shoqëruar më shumë sesa duhet me shprehje romantike dhe si një zonë, si një kufi anarkik ku njerëzit mund të jetojnë të lirë dhe të rizbulojnë fatin e tyre. Që hapësira të funksionojë ashtu diç duhet, ajo ka nevojë për një sistem rregullash dhe duhet bërë shumë kujdes sepse në skenarin më të keq të mundshëm, hapësira mund t’ia shtojë problemet Tokës.