Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 6 dhjetori nuk është ditë pushimi, pas lajmeve se për shkak të samitit BE-Ballkani Perëndimor kjo ditë do të ishte pushim për administratën në Tiranë.
Por kryetari i PD, Sali Berisha, thotë se administrata e Tiranës ishte njoftuar për ditë pushimi, por Rama e anuloi këtë vendim.
Sipas Berishës, anulimi i ditës së pushimit erdhi pasi administrata do të dilte në protestën e opozitës.
“E morët vesh çfarë bëri. E anuloi ditën e pushimit për administratën, sepse u tmerrua, sepse administrata mund të dilte në protestë me ne. I bëj thirrje administratës të vijnë tek ne. Kur kuptoi që administrata e tërë do të derdhej në shesh, e anuloi tha ka qenë lajm i rremë, kur ata ishin njoftuar të gjithë”, deklaroi Berisha gjatë një takimi me banorë të Njësisë 1 dhe 3 në kryeqytet.