Kanë kaluar më shumë se 160 vjet që kur Çarls Darvin botoi “Origjinën e specieve”, esenë shkencore më të përkthyer në histori, në të cilën ai formuloi teorinë e evolucionit me anë të seleksionimit natyror. Me rastin e Ditës së Darvinit, e cila festohet çdo vit më 12 shkurt, po ju sjellim disa kuriozitete për jetën e natyralistit të famshëm anglez, të lindur më 12 shkurt 1809.
NUK ISHTE AI QË SHPIKU SHPREHJEN; MBIJETESA E MË TË FORTIT, por filozofi anglez Herbert Spencer në “Parimet e Biologjisë” më 1864 për të lidhur teoritë e tij ekonomike dhe sociologjike me idetë e Darvinit. Në edicionin e pestë të “Origjinës së Specieve” më 1869, Darvini e konsideroi shprehjen e Spencerit si më të saktë për të shpjeguar konceptin e përzgjedhjes natyrore.
VUANTE NGA DISA SËMUNDJE KRONIKE. Pas kthimit nga udhëtimi i tij 5-vjeçar rreth botës në bordin e anijes me vela “Beagle”, Darvini filloi të vuante nga lodhja, dermatiti dhe periudhat kronike të të përzierave, dhimbjes së kokës dhe takikardisë që zgjatën për gjithë jetën. Sipas disave, gjatë udhëtimit ai mori sëmundjen Chagas, një parazitozë me origjinë nga Amerika Latine që mund të dëmtojë zemrën dhe ndoshta ishte shkaku i vdekjes së tij më 19 prill 1882.
AI HARTOI NJË LISTË TË MIRAT DHE TË KËQIJAT PËR TË VENDOSUR NËSE DO TË MARTOHEJ. Darvini ishte gjithashtu metodik në çështjet e zemrës, dhe në 1838 ai shkroi një listë me të mirat dhe të këqijat e martesës. Aspektet pozitive të jetës martesore përfshinin fëmijët, të paturit e një partneri dhe miku në pleqëri, shoqëri më të mirë se një qen dhe të paturit e dikujt që kujdeset për shtëpinë.
Ndër aspektet negative, Darvini renditi mungesën e lirisë për të shkuar ku të duash, asnjë bisedë me burra të arsimuar në dhoma ndenje dhe humbjen e kohës. Kush e di se çfarë mund të kishte menduar kushërira e tij e parë Emma Ëedgëood, me të cilën u martua në 1839, duke lexuar këtë listë.
BRAKTISI STUDIMET E MJEKËSISË. Babai i tij, një mjek i suksesshëm, e shtyu të ndiqte hapat e tij dhe të regjistrohej në shkollën e mjekësisë. Pas një vere si praktikant në zyrën e babait të tij, Darvini u pranua në Universitetin e Edinburgut. Por kjo nuk ishte rruga e tij. Vetëm pamja e gjakut e zmbrapsi dhe mësimet e mërzitën për vdekje, veçanërisht ato të profesorit të anatomisë Alexander Munro III, për të cilin shprehej; “i mërzitshëm sa ai”. Në 1827 ai vendosi të braktisë fakultetin dhe një vit më pas filloi të studionte matematikë, letërsi dhe teologji në Kembrixh.
PËRVEÇ STUDIMIT, USHQEHEJ ME KAFSHË EKZOTIKE. Gjatë studimeve në Kembrixh ai themeloi Klubin Gourmet, një grup që u bashkua për t’u “ushqyer me zogj dhe kafshë të panjohura për njerëzit”. Darvini shijoi skifterin dhe çafkën dhe përvojat e tij gastronomike vazhduan në udhëtimin e tij nëpër botë, kur shijoi mishin e armadilos, strucit dhe pumës.
ISHTE RACIST DHE SEKSIST. Jo të gjitha idetë e Darvinit ishin moderne dhe të pranueshme. Në një nga librat e tij ai shkroi se disa cilësi si intelekti dhe nuhatja ishin më të mira në disa raca sesa në disa të tjera. Libri i tij “The Descent of Man” në 1871 është i mbushur me fraza seksiste si “burri është më i guximshëm, luftarak dhe plot energji se një grua dhe ka më shumë gjenialitet shpikës”, ose “burri është më superior në gjithçka përballet në krahasim me një grua, si në çështje intelektuale, arsyetim, imagjinatë, apo edhe çështje që kërkojnë përdorimin e duarve dhe shqisave”.
Këto janë pohimet e një burri që jetoi gati dy shekuj më parë, kur shoqëria ishte shumë e ndryshme nga ajo aktuale dhe gratë pothuajse nuk kishin akses në arsim. Darvini ishte ende i hapur ndaj ndryshimeve dhe besonte se gratë mund të arrinin standardet e burrave “duke u edukuar në energji dhe këmbëngulje dhe duke stërvitur në maksimum arsyen dhe imagjinatën”.