Kryesore 6 mijë për të ndryshuar një vendim, arrestohet gjyqtarja dhe bashkëshorti i...

6 mijë për të ndryshuar një vendim, arrestohet gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për gjyqtaren Mimoza Margjeka e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim,

Vendimi është dhënë pasi dyshohet se gjyqtarja është e përfshirë në një skemë korrupsioni me qëllim përfitimin e një shumë parash në këmbim të lirimit të një personi.

Katër persona të tjerë janë arrestuar, mes të cilave avokati Skënder Demiraj, bashkëshorti i gjyqtares Arben Cara si dhe shtetasit Nejton Bali dhje Klaudjo Zhilla.

SPAK bën të ditur se është bërë i mundur evidentimi dhe dokumentimi i një akiviteti korruptiv në sistemin e drejtësisë.

Bëhet fjalë për dhënien e një shumë prej 6 mijë euro tek gjyqtarja Mimoza Margjeka me qëllim që ajo të lironte nga burgu, shtetasin Orian Bali i cili ishte ndaluar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

“Konkretisht ka rezultuar se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm. Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas”, njofton SPAK.

Për këtë arsye Gjykata ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg: për shtetasit Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “arrest në burg”, ndaj shtetasit Arben Cara (bashkëshorti i gjyqtares), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” si dhe “arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit Skënder Demiraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim.