Policia ka zbardhur rrethanat e konfliktit të ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Pogej” në Shkodër, si pasojë e të cilit u dëmtua me sende të forta 62-vjeçari me iniciale V.S.
Për ngjarjen është arrestuar 47-vjeçari me iniciale E.S. dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë, konkretisht 23-vjeçari me iniciale I.S., 27-vjeçari me iniciale S.H., 31-vjeçari me iniciale A.K., 24-vjeçari me iniciale S.T. dhe 27-vjeçari me iniciale A.B., që të gjithë banues në Shkodër.
Këta persona kanë goditur fizikisht me sende të forta gjatë konfliktit për vendparkimin e automjeteve 62-vjeçarin i cili vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 47-vjeçari me iniciale E. S. ka patur me vete armë zjarri, ndërsa 27-vjeçari me iniciale A. B. dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e ngjarjes. Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.