Kryesore 6 qytetet që u “shëruan” nga COVID-19

6 qytetet që u “shëruan” nga COVID-19

Të dhënat ditore të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuara sot, flasin tashmë për një situatë nën kontroll të koronavirusit, teksa gjashtë qytete janë shëruar plotësisht nga epidemia.

Korça ka raportuar fillimisht 19 të infektuar me koronavirus, por lajmi i mirë është se ata janë shëruar të gjithë. E dyta vjen Lezha me 14 raste që kanë mundur koronavirusin. Edhe në Kavajë nga 9 rastet pozitive, 8 prej tyre nuk janë më bartës të virusit, ndërsa një person 42-vjeçar humbi jetën ditët e para të epidemisë.

Rrogozhina dhe Tropoja me nga 4 raste koronavirusi, tashmë numërojnë zero të infektuar. Dhe e fundit vjen Mallakastra, ku i vetmi rast me COVID-19, ia doli të shërohet dhe t’i kthehet jetës normale.

Këto pesë qytete tashmë i shtohen automatikisht hartës së “zonave të gjelbra“. Pritet urdhri i qeverisë për të hapur lëvizjen edhe në këto qytete.

Shqetësuese është situata në Tiranë me 320 të infektuar (207 të shëruar), Shkodër 110 të infektuar (74 të shëruar), Krujë 105 të infektuar (11 të shëruar) si dhe në Kurbin me 31 të infektuar (vetëm tre të shëruar).

Në total numri i rasteve me COVID-19 në vendin tonë ka arritur në 733, 7 u konfirmuan pozitivë ditën e sotme. Por nga këta janë shëruar 430 pacientë, 31 kanë humbur jetën dhe 272 janë ende bartës aktivë të virusit të rrezikshëm. Nga 272 të sëmurë, vetëm 36 janë në kujdes spitalor në dy spitalet COVID në Tiranë. 7 prej tyre ndodhen në terapi intensive.

Me 15 rastet e reja të shëruara ditën e sotme, numri i pacientëve që kanë mposhtur koronavirusin është tashmë dyfish më i lartë (430) se i të infektuarve (272).