Aktualitet 6 të rinj në pranga, shpërndanin drogë në Bulqizë dhe zonat përreth

6 të rinj në pranga, shpërndanin drogë në Bulqizë dhe zonat përreth

Gjashtë persona nga Bulqiza, mes të cilëve edhe një i mitur, javë vënë në pranga për prodhim dhe shitje të narkotikëve të kryer në bashkëpunim.

Të rinjtë hetoheshin prej disa muajsh nga drejtoria e policisë së Dibrës ku ka rezultuar se merreshin me shpërndarjen e lëndës narkotike në qytetin e tyre dhe në zonën përreth. Sipas policisë kanë tendencën kriminale që të kultivojnë bimë narkotike.

“Pas disa muajsh hetime të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Dibër nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, bazuar në provat e siguruara , u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Porosia”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

R. A., 20 vjeç, D. P, 22 vjeç, R. P., 24 vjeç, F. M., 32 vjeç, A. D., 25 vjeç, dhe E. Xh., 15 vjeç, të gjithë banues në Bulqizë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmedur në bashkëpunim me njëri – tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes në doza të vogla të lëndëve narkotike në qytetin e Bulqizës dhe zonën përreth saj si dhe kanë tendencë kriminale për kultivim të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre janë gjetur doza me lëndë narkotike kanabis sativa, gati për shitje, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Policia po heton për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.