Gjashtëvjeçarja Suzy Eshkuntana u zgjua e vetme në spitalin më të madh të Gazës, ku ishte dërguar me urgjencë pasi shtëpia e saj ishte shkatërruar nga një sulm me bombë të ushtrisë izraelite. Fatkeqësisht, ajo dhe babai i saj ishin të mbijetuarit e vetëm të familjes, pasi mamaja dhe katër motrat e vëllezërit e tjerë humbën jetën.
Vogëlushja mbeti e bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së saj për 7 orë, para se të shpëtohej dhe të ribashkohej me babain e saj në spital.
Shtëpia e familjes palestineze u godit nga sulmet me bomba të ushtrisë izraelitë të dielën, më 16 maj. Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, vetëm të dielën u regjistruan 42 viktima, mes të cilëve 10 fëmijë, ndërsa numri total ka shkuar në 192.
Izraeli thotë se sulmon militantët e Hamasit, që kontrollojnë popullsinë në Rripin e Gazës. Sipas autoriteteve, nga Gaza janë lëshuar 2800 raketa në drejtim të qyteteve izraelite, nga të cilat kanë humbur jetën 10 persona, mes tyre edhe 2 fëmijë.
Shtëpia e familjes Eshkuntana ishte pranë një tuneli të Hamasit të bombarduar nga Izraeli. Shembja e tunelit shkaktoi edhe rrëzimin e shtëpisë.
Babai i saj, Riyad Eshkuntana, tha se i kishte futur fëmijët në një dhomë që mendonte do të ishte e sigurt. “Isha i mbushur me mllef, por kur dëgjova që njëra prej vajzave ishte gjallë, falënderova Zotin, sepse ajo do të mund të buzëqeshë përsëri, edhe për motrat e saj”, tha Riyad për Reuters.