Televizioni Publik Shqiptar ka hyrë sot në përvjetorin e 60-të të ekzistencës së tij. Pikërisht në vitin 1960, është bërë e mundur nisja e transmetimeve të këtij gjigandi mediatik, i cili sot është përfshirë në një proces transformimi tërësor.
Për të sjellë në vëmendje disa fragmente të punës së Televizionit Shqiptar në këto 6 dekada, në ekranin RTSH 1, ka nisur sot që në orët e para të mëngjesit, një transmetim maratonë, i cili ka sjellë në vëmendje, momente, emisione, programe, spektakle, personazhe e kontribues, në fusha të ndryshme të medias.
Njësia e emisioneve tematike dhe lajmeve, duartroket me respekt punën e gjithkujt, e ju fton të ndiqni edhe në mbyllje të edicionit informativ, maratonën e transmetimeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit Shqiptar, zoti Thoma Gëllçi, ka një mesazh dedikuar këtij përvjetori:
Gëzuar 60 vjetorin e televizionit shqiptar!
Që nga 29 prilli i vitit 1960 kanë kaluar 60 vite pune, krijimtarie, sakrificash e lodhjeje; vite eksperimentesh, dështimesh e suksesesh. Të gjitha të shënuara në memorien e atyre që kanë dhënë kontributin e vet krijues në ekranin e televizionit shqiptar, por dhe të atyre në prapavijë, përfshirë edhe tekniket e antenave në të katër anët e Shqipërisë: Gëzuar! Është dita t’u themi të gjithëve ju faleminderit!
Do të dëshiroja shumë që këtë 60 vjetor ta kremtonim në kushte të tjera. Në këtë kohë pandemie, punonjësit e RTSh-së janë në ballë të luftës. Së bashku me mjekët dhe infermierët, ata janë sot në vijën e parë të frontit për të informuar njerëzit dhe për të ruajtur vazhdimësinë e jetës. Është RTSh-ja që u përgjigj me devocion nevojave të nxënësve dhe mësuesve të shkollave shqiptare për të vazhduar mësimin në kushte të reja, qysh në ditën e parë te pandemisë. Janë pikërisht momente të tilla krizash të mëdha, kur shërbimi publik tregon forcën dhe dobinë e tij.
60 vitet e kaluara kanë qenë bardhë e zi dhe me të gjitha nuancat ndërmjet. Në emër të të gjithë kolektivit punonjës të RTSh, por edhe të atyre që dikur punuan në heshtje apo me rebelizëm, kam detyrim moral t’ju kërkoj ndjesë të sinqertë të gjithë shikuesve shqiptarë. Për një kohë të gjatë, përveç filmave, koncerteve, dokumentarëve, kronikave të njerëzve të punës, nga ekrani i televizionit është përcjellë edhe shumë propagandë, duke lejuar dhe ndihmuar, për fat të keq, dasinë e popullit në grupe kundërshtare dhe duke mbajtur anën e atyre që kishin pushtet. Për fat të keq, edhe pas rrëzimit të sistemit një partiak, televizioni shqiptar, si një gojë e propogandës partiake, kthehej një herë në njërin krah dhe herë në krahun tjetër si platformë politike mediatike për të luftuar kundërshtarët e pushtetit dhe për të lartësuar vete pushtetin.
Nuk do ta kremtonim me dinjitet këtë 60 vjetor, nëse nuk do të shihnim në sy të kaluarën tonë për të mësuar prej saj dhe për të korrigjuar vetveten. Institucionet, sikurse edhe vetë individi, janë qenje shoqërore që mësojnë qoftë edhe nga gabimet. Ne sot jemi 60 vjeçare; të pjekur për të kuptuar gabimet, por vitalë, entuziastë dhe të hapur për të mësuar, për t’u bërë më të mirët, për një shoqëri më të kulturuar dhe gjithëpërfshirëse.
Sot televizioni shqiptar është i pavarur dhe i paanshëm. Ne që punojmë sot këtu krenohemi me këtë arritje kaq të madhe. Ne duam dhe punojmë që të gjithë dhe secili nga ju ta kthejë stacionin në televizionin shqiptar dhe të çlodhet, të kënaqet e të mësojë pa u manipuluar. Ky është misioni ynë dhe këtu synon puna jonë.
Në televizionin shqiptar punojnë një grup profesionistësh që ndajnë me njëri tjetrin pasionin për të mirën e të vërtetën, që duam dhe punojmë fort për të sjellë tek ju artin dhe fjalën e bukur. Por ne jemi të ndërgjegjshëm se këto mundësi të mëdha na i keni dhënë ju të gjithë me kontributin tuaj monetar, por edhe me mbështetjen tuaj të madhe morale e shpirtërore. Detyra jone e madhe sot është që bashkë me fjalën shqipe të sjellim tek ju cilësinë e lartë të çdo momenti televiziv. Ne të gjithë kemi bindjen dhe pasionin e madh për ta realizuar edhe këtë qëllim; sepse çdo arritje cilësore e transmetimeve tona është një investim kolosal për një shoqëri më të mirë.
Më lejoni që sot të uroj dhe të falenderoj nga zemra për punën e tyre të palodhur ata dhjetëra njerëz të talentuar që i janë përkushtuar këtij misioni të lartë shoqëror. Uroj dhe falenderoj për punën e tyre të gjithë ata që në një kohë apo në një tjetër i kanë shërbyer interesit publik duke na mundësuar që sot të quhemi 60 vjeçare.
Gëzuar të gjithëve këtë 60 vjetor të Televizionit Shqiptar! Nesër edhe më mirë!