Aktualitet 670 mijë litra naftë kontrabandë nga Tunizia, sekuestrohet anija në Durrës

670 mijë litra naftë kontrabandë nga Tunizia, sekuestrohet anija në Durrës

Janë sekuestruar në Durrës 670 mijë litra naftë kontrabandë nga Tunizia, bashkë me anijen që e transportoi sasinë.

Sipas policisë, në pranga janë vënë 3 persona. Bëhet fjalë për shtetasit Mohammd Kahilah (shtetas sirian, kapiteni i anijes), Eneo Cano (shtetas shqiptar, marinari) dhe Sushil Vema (shtetas indian, oficer i parë i anijes).

Teksa dy organizatorët e rastit janë shpallur në kërkim, do procedohen në gjendje të lirë 5 pjesëtarët e ekuipazhit të anijes (shqiptarë dhe të huaj).

“Si rezultat i punës së inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabandës dhe Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DPPSh-së, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, Degës së Doganës Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ari i zi”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër”, njofton Policia.

Mësohet se nafta u gjet në balastrat që shërbejnë për balancimin e anijes.