Për herë të parë në Shqipëri është prezantuar platforma e vetme online për informimin e personave me aftësi të kufizuara, që kanë vështirësi në shikim, dëgjim dhe lëvizje. Legjislacioni shqiptar, terminologjia e përdorur, statistikat, rregullat e etikës si dhe pyetjet më të shpeshta mbi çështjet e aftësisë së kufizuar janë disa nga informacionet kyçe të kësaj platforme.
Rreth 68% e personave me aftësi të kufizuara raportojnë se nëpër bashki, KMCAP, qendra ditore dhe ato shëndetësore nuk ka aspak mundësi komunikimi të përshtatur për nevojat e tyre. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të raportit të parë të Monitorimit të Planit Kombëtar për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, të raportuar nga aktorë të shoqërisë civile, persona me aftësi të kufizuara ose familjarët e tyre në Dibër, Lezhë, Korçë dhe Berat.
Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision Albania u shpreh: “Procesi i aksesit në informacion është kyç për të fuqizuar individin, familjen dhe komunitetin, në mënyrë që ata të kërkojnë të drejtat e tyre. Nisur nga nevojat e personave me aftësi të kufizuara, ne kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë platformën interaktive të aksesueshme nga çdokush. Ne si World Vision Albania jemi të përkushtuar që të mbështesim familjet e fëmijëve më në nevojë. Kjo platformë është një mjet teknologjik që iu ofron personave me aftësi të kufizuara, familjeve të tyre ashtu sikurse edhe shoqërisë civile informacion të aksesueshëm pavarësisht vështirësive në funksionalitet apo barrierave të ndryshme. Ftoj të gjithë personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre, rrjetet lokale dhe organizatat e shoqërisë civile të përdorin platformën “Aftësia e Kufizuar dhe Barazia” për tu informuar e më pas për të kërkuar të drejtat e tyre shërbime cilësore dhe të qënit pjesë aktive e shoqërisë civile në Shqipëri.”