Kuriozitete 7 gjëra që ndoshta nuk i dinit për domatet

7 gjëra që ndoshta nuk i dinit për domatet

Domatet në kuzhinë janë bërë një pjesë e pandashme prej 150 vjetësh, falë një tradite që nisi në jug të Italisë dhe u shtri më pas në të gjithë botën, falë shpikjes së picës.

Megjithatë, marrëdhëniet e njerëzve me domaten nuk kanë qenë gjithmonë kaq të qeta: madje dikur ato dyshoheshin edhe se mund të helmonin.

Nga kuriozitetet, tek historia, kultura, kuzhina, shkenca dhe politika, ja disa gjëra që nuk i dinit për domatet:

Historia

Në gjysmën e dytë të shekullit XVII në Europë u përhap një frut ekzotik, i cili e kishte origjinën nga një barishte nga Peruja që e kishin importuar spanjollët. Aztekët e quanin atë xitomatl, që do të thotë “gjë e fryrë me kërthizë. Ishin fruta të vegjël me ngjyrë të artë, të cilët u bënë të kuqe më vonë me seleksionimin.

Salca e parë

U desh mbi një shekull që domatja të hynte në kuzhinë. Salca e parë me domate daton në vitin 1694 në librin e Antonio Latini, një zyrtar i kohës. Salca e domates alla-spanjolle përgatitej duke përzier domaten qëruar në zgarë me qepë, erëza dhe uthull.

Helm

Një legjendë u përhap në vitet 1700 sikur domatet kishin helmuar shumë aristokratë në Europë, ndaj mori dhe emrin mollë e helmuar. Por në të vërtetë, të pasurit përdorin pjata prej kallaji dhe plumbi dhe aciditeti i domates bënte që kur servirej në këto pjata të thithte plumbin, duke i helmuar kështu.

Varietet

Emri shkencor i domateve është Lycopersicon lycopersicum, që do të thotë “pjeshka e ujkut”. Llogaritet të jenë rreth 10 mijë varietete: nga A-ja e Abracazebra e deri tek Z-ja e Zebra Cherry, domatet me lëkurë me vija të kuqe dhe jeshile.

A bën mirë?

Studimet kanë treguar se domatet e pjekura janë dhe më të shëndetshme se ato që konsumohen të freskëta. Duke i gatuar për 15 minuta, muret qelizore të domates thyhen, duke lëshuar likopene, një antioksidant që redukton rrezikun e disa tumoreve dhe vepron kundër kolesterolit dhe sëmundjeve kardiake.

Jo në frigorifer

I ftohti ndërhyn me enzimat që ruajnë shijen karakteristike të domates. Nën 12 gradë, domatja ndërpret procesin e pjekjes dhe kjo ndikon tek shija.

Lajini mirë

Çdo vit, një shoqatë amerikane mjedisore liston frutat dhe perimet në bazë të niveleve më të larta të pesticideve të mbetura. Këto janë shumë të dëmshme. Në vitin 2018, domatja renditet e nënta në këtë listë. Ndaj për të eliminuar çdo mbetje pesticidi ato duhen larë shumë mirë përpara se të konsumohen.