Një arsenal armësh zjarri, municione luftarake, lëndë eksplozive dhe granata janë sekuestruar nga Policia në një banesë në Yrshek të Tiranës.
Policia ka vënë në pranga pronarin e banesës i cili mendohet se është edhe autori i një ngjarjeje të ndodhur në 15 qershor, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi në rrugën dytësore Tiranë-Vorë.
“Si rezultat i veprimeve intensive u siguruan informacione në rrugë operative se armët e përdorura dhe motomjeti me të cilin ishin larguar autorët ndodheshin në banesën e shtetasit G. H. Po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohet se bashkautor në këtë ngjarje është edhe shtetasi E. M. Gjithashtu, po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se banesa e shtetasit G. H. mund të përdorej si bazë për të fshehur armët dhe municionet luftarake të grupit kriminal.
Bazuar në këto informacione, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacioni “Yrsheku”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi G. H. dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. H, shërbimet e Policisë zbuluan një arsenal armesh dhe municionesh që përdoreshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe shtetasi G. H.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu), 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë”.