Shtatë pozitivë te Barcelona, pesë prej tyre futbollistë dhe dy pjesëtarë të stafit teknik, por emrat nuk janë publikuar. Lajmi është bërë i ditur nga radioja katalanase, “Rac1”. Ky ka qenë verdikti i testeve të zhvilluara nga lojtarët e Barcelonës para rifillimit të stërvitjes. Të gjithë kanë qenë asimptomatikë dhe që të gjithë tani janë mirë. Ata janë të pranishëm në stërvitje dhe po punojnë rregullisht. Në gjakun e tyre janë gjetur gjurmë të virusit Covid-19.
Deri tani lajmi nuk është përgënjeshtruar nga klubi i Barcelonës, edhe pse ka bërë bujë të madhe jo vetëm në Spanjë, pasi bëhet fjalë për një nga klubet më të mëdha në botë. Në momentin e analizave dhe rezultateve askush nuk ka thënë asgjë, as klubi dhe as Liga. Në këto kushte, as 5 lojtarët dhe as 2 pjesëtarët e stafit të trajnerit Kike Setien, nuk kanë ndjerë gjë.
Barcelona u stërvit dje me një grup kompakt për herë të parë pas 80 ditësh. Të shtunën, më 13 qershor, në Majorka do të rinisë kampionatin. Në fakt, Covid-19 kishte mbërritur shumë javë më parë në klubin katalanas, pasi ishte infektuar mjeku i skuadrës, Ramon Kanal, i cili u shtrua në spital. Përveç tij, ishte prekur edhe mjeku i ekipit të volejbollit, Josep Antoni Gutierrez.