Bota 7 vendet më të pasura të botës vendosin ndërprerjen e financimit për...

7 vendet më të pasura të botës vendosin ndërprerjen e financimit për impiantet me qymyr

Shtatë vendet më të pasura të botës kanë rënë dakord së fundmi që të ndërpresin financimin shtetëror të impianteve që punojnë me qymyr si dhe të “dekarbonizojnë” në masë të madhe furnizimin me energji elektrike deri në fund të viteve ’30 të këtij shekulli. Ministrat e G7 kanë riafirmuar angazhimin e tyre për të mbajtur nën kontroll rritjen e temperaturës poshtë 1.5 gradë Celcius deri në vitin 2050. Kuota në fjalë është përcaktuar nga shkencëtarët si pika kritike pas së cilës sipas tyre ndryshimi klimaterik do të bëhet i pakontrollueshëm.

Vendimi është cilësuar si shenjë e një konsensusi të qartë për botën se qymyri si lëndë e parë djegëse është drejt eliminimit nga përdorimi.

G7 përbëhet nga SHBA, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe, që lë jashtë Kinën dhe Rusinë, vende që gjithsesi janë prodhues të mëdhenj automobilësh e të cilët premtojnë eliminimin edhe të naftës si lëndë djegëse brenda një dekade.

Objektivat janë ambiciozë dhe priren të sjellin ristrukturim të mënyrës së prodhimit duke patur parasysh se industria është krijuar qysh në fillesë duke patur në përdorim hidrokarburet dhe qymyrin, zhvillim ky revolucionar por që e futi botën në një cikël të ekspozimit klimaterik, aq sa sot flitet për epokën e antropocenit.