Në 7 vjetorin e krijimit si Institucion i drejtësisë së re, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë bilancin e punës së tyre. Nga 805 subjekte, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë, e kanë kaluar Vettingun 349, e ndërsa janë marrë 256 vendime për shkarkim nga detyra.
“Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë, ndërsa sot, më 17 qershor 2024 numëron në total 768 vendime, prej të cilave 349 konfirmime në detyrë, 256 vendime për shkarkim nga detyra, 110 vendime për pushim/ndërprerje procesi, 50 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime për pezullim nga detyra”, thuhet në njoftimin për mediat.
Komisionit i kanë mbetur për të rivlerësuar vetëm 37 subjekte. E teksa mandatit po i vjen fundit, KPK ka pasur një falënderim për ndërkombëtarët, por edhe partnerët e tjerë.
“Gjatë 7 viteve të funksionimit të tij, me mbështetjen dhe ekspertizën profesionale të pakursyer të ONM-së, Komisioni ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit. Ndërsa mandati kushtetues po i afrohet përmbylljes, në këtë datë të shënuar, KPK gjen rastin të falënderojë partnerët ndërkombëtarë, Kuvendin, mediat dhe gjithë bashkëpunëtorët e këtij rrugëtimi që jo vetëm shërbeu për vettingun e sistemit të drejtësisë, por edhe avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian”, përfundon njoftimi për shtyp.
Më 17 qershor 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nisën punën për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.