Aktualitet 70 mijë fëmijë me aftësi të kufizuar në Shqipëri, vetëm 8 %...

70 mijë fëmijë me aftësi të kufizuar në Shqipëri, vetëm 8 % marrin shërbime, World Vision shkon në zonat më të thella

Rreth 72 fëmijë më aftësi të kufizuar në rrethe të ndryshme të vendit përfitojnë terapi falas në shtëpi. Programi social “Tungjatjeta  jetë”,  World Vision ofron vizita të rregullta dhe pa pagesë nga psikologë, fizioterapistë, logopedë e profesionistë të tjerë të këtyre fushave . Sipas tyre janë të shumtë fëmijët që kanë pasur ndryshime të dukshme gjatë këtyre muajve, falë vizitave të rregullta dhe pa pagesë në ambientet e shtëpisë nga ekipi i programit social të World Vision me Bashkinë Librazhd, Bashkinë Dibër si dhe bashkëpunimit të prindërve dhe mësuesve.

Studimi

Në Shqipëri numërohen 70 mijë fëmijë me Aftësi të Kufizuar, por vetëm 8% e tyre marrin shërbime. Pamundësia ekonomike, largësia nga qendrat, mungesa e transportit, mungesa e informacionit apo mentaliteti janë vetëm një pjesë e vogël mes një liste të gjatë faktorësh se përse fëmijët nuk merrnin shërbimet e specializuara për të cilat kishin nevojë. Falë programit social të World Vision  ‘Tungjatjeta…jetë’, 8 fëmijë në Bulqizë po marrin në shtëpi shërbimet e specializuara. Muaj pas muaji ky shërbim synon të përfshijë një numër edhe më të madh fëmijësh.

Nisma “Tungjatjeta jetë’”

“Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga nisma më e bukur dhe më e ndjerë, ku asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës. Nuk ka qenë e lehtë për mua, që çdo ditë të le qytetin, shtëpinë dhe për orë të tëra të udhëtoj rrugë pa rrugë, në fshatra të largët, aty ku më presin me padurim fëmijët,”- fillon të tregojë Dorela. Ajo është fizioterapistja e ekipit lëvizës të “Tungjatjeta…jetë” dhe na rrëfen se një ditë pune në këtë ekip mbart me vete shumë emocione: guxim, besim, dashuri, dhe mbi të gjitha durim e kurajo për të mos u dorëzuar. “Herët e para që shkonim në familje, shumë prej tyre nuk kishin asnjë informacion për profesionet tona, e mbi të gjitha si do i ndihmonim fëmijët e tyre. Jemi munduar t’ia shpjegojmë me fjalë të thjeshta dhe me shembuj që ta kuptonin. Nga ana tjetër, shumë familjarë nuk besonin se fëmijët e tyre mund të ndryshonin, prandaj takimet e para kanë qenë për të informuar dhe bindur prindërit që t’iu bënin edhe vetë ushtrimet që do iu linim porosi. Ky ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm për secilin nga terapistët sepse pa përkushtimin e prindërve, ndryshimi do të ishte i pamundur,” – shpjegon Eva, logopedistja e ekipit. JO dhe NUK janë fjalë që terapistët e programit social “Tungjatjeta…jetë” nuk duan t’i kenë në fjalorin e tyre. Edhe pse sfidat janë të shumta dhe ia lenë vendin njëra tjetrës, – thotë Eva, – vendosmëria për të sjellë një përmirësim sado të vogël tek fëmijët me aftësi të kufizuara në zonat e thella të vendit është motivi ynë për t’u zgjuar çdo mëngjes e për të udhëtuar drejt familjeve që i presin me padurim tek gardhi i shtëpisë.

Terapistët

“Momentet e bukura dhe dashuria që marrim mbrapsht nuk matet as me fjalë e as me vlerë financiare. Muaj të shkuara ka pasur familje që kanë nguruar të besojnë tek ndryshimi që mund të kishin fëmijët e tyre. Tani na konsiderojnë pjesëtarë të familjes e kur largohemi shpesh na thonë: ‘Zoti jua shpërbleftë të mirën që bëni!’ Por edhe kur kthehemi në shtëpi i mbartim me vete emocionet e punës. Nuk mund ta fikësh ‘motorin’ në momentin që të mbaron orari zyrtar i punës dhe ta rindezësh atë ditën tjetër. Mendja na shkon shpesh atje…tek fëmijët…si janë, kanë ngrënë apo jo, i kanë bërë ushtrimet që i kemi lënë porosi, pse po vonon përmirësimi…a janë të mbrojtur në familje e shumë e shumë gjëra të tjera…,” – rrëfejnë terapistët. Dorelës, Mimozës, Enelës dhe Evës, në pjesën më të madhe të rasteve, iu janë dashur muaj të tërë punë, përpara se në horizont të shihnin shenjat e para të përmirësimit tek fëmijët me aftësi të kufizuara. “Dua të përmend emocionin e pafundëm që kam ndjerë kur kam parë Klajdin te ecte kemba dorazi, një fëmijë me paralizë cerebrale që nuk mund të lëvizte më parë, – thotë Enela, punonjësja sociale. Laureli, djali që është diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik, ka filluar të shkojë në shkollë e të thërrasë prindërit. Ardiani nuk qendron më i mbyllur në dhomë. Kurse psikologia, Mimoza, ndjehet krenare për Vilsonin, i cili në fillim të projektit ishte diagnostikuar me çrregullime në sjellje; nuk frekuentonte shkollën, qëndronte i heshtur, ndërsa sot ai frekuenton çdo ditë shkollën, është i qetë, njeh ngjyrat, shkronjat, numrat, format gjeometrike, kafshët, profesionet, flet edhe për shqetësimet që i kanë ndodhur. Prej prillit të 2019-ës, nisma ‘Tungjatjeta jetë’ ka filluar edhe në zonat e thella të Dibrës, duke e rritur në 72 numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që marrin terapi nga njësia lëvizëse.