Politika 70 mijë lekë gjobë për Luçiano Boçin, ish-deputeti dënohet për shpifje

70 mijë lekë gjobë për Luçiano Boçin, ish-deputeti dënohet për shpifje

Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi është dënuar për shpifje dhe fyerje ndaj ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla.

Boçi është dënuar me 70 mijë lekë gjobë.

Vitin e kaluar Lindita Nikolla, asokohe ministre e Arsimit, tha se do ta padiste Boçin për shpifje, pasi ky i fundit bëri një denoncim ku e akuzonte Nikollën për papërgjegjshmëri, paaftësi dhe korrupsion.

“Rreth 420 mijë nxënës shqiptarë për herë të parë në historinë e shkollës shqipe janë pa dëftesat shkollore. Të vetmet dëftesa që u printuan dhe u shpërndanë ishin ato të klasës së 9-të, por edhe ato rezultuan me gabime, çka e bën dëftesën dokument të pavlefshëm për 35 mijë nxënës. Një pjesë prej tyre rrezikojnë të mos regjistrohen në shkollë të mesme brenda dhe jashtë vendit”, – tha nga selia blu ish-deputeti demokrat vitin e kaluar.

Ndërsa Nikolla iu përgjigj akuzave të Boçit, duke u shprehur se nuk ka dëftesa me gabime dhe as vonesa.