Deri në muajin mars rreth 700 mijë njerëz mund të vdesin në Europë dhe disa pjesë të Azisë për shkak të COVID-19.
Paralajmërimi jepet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Numri i vdekjeve në Europë tashmë tejkalon shifrën 1.5 milionë dhe deri në pranverë mund të tejkalojë 2.2 milionë viktima
Deri në mars të 2022, OBSH paralajmëron edhe për mbingarkesë në njësitë e kujdesit intensiv.
Europa po përballet me një rritje të të infektuarve, duke bërë që Austria të kthehet në izolim kombëtar dhe të tjera shtete si një efekt domino të rivendosin kufizime.
Një numër vendesh, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Greqinë, së shpejti mund t’i bëjnë dozat e treta të vaksinës një kërkesë që qytetarët e tyre të konsiderohen të vaksinuar plotësisht. Por me rikthimin e masave, janë rikthyer edhe protestat kundër kufizimeve.
Drejtori i OBSH-së për Evropën, dr. Hans Kluge u bëri thirrje pavaksinuarve që të bëjnë injeksionin.
“Të gjithë ne kemi mundësinë dhe përgjegjësinë për të ndihmuar në shmangien e tragjedive të panevojshme dhe humbjeve të jetëve gjatë këtij sezoni dimëror”, – nënvizoi eksperti.
Sipas OBSH, numri i lartë i njerëzve të pavaksinuar dhe prevalenca e variantit Delta në disa shtete janë faktorët kryesorë të kësaj situate në rajonin e Europës.