Fotoja përshkoi botën para 75 vitesh: Krah për krah janë të ulur kryeministri britanik Winston Churchill, presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt dhe diktatori sovjetik, Josef Stalin. Të zhytur në palltot dimërore, që duken si mburoja, ata i kanë drejtuar sytë me seriozitet nga kamera. Një skenë, që duhet të demonstronte unitet mes fuqive botërore. Dhe shpresë për paqe të vazhdueshme pas Luftës së Dytë Botërore që ndezi Gjermania naziste. Kjo foto është bërë gjatë zhvillimit të Konferencës së Jaltës, të thirrur nga Bashkimi Sovjetik. Në Pallatin Livadija të qytetit turistik në Krime, në Detin e Zi të ashtuquajturit, “Tre të Mëdhenjtë” negociojnë më 4 shkurt 1945 për fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Sepse “perandoria mijëvjeçare e proklamuar nga Hitleri ndodhej para shkatërrimit.
Propozimet për ndarjen e Gjermanisë
Në Perëndim dhe Jug të Europës amerikanët dhe britanikët po përparonin megjithë rezistencën e fortë të Wehrmachtit gjerman. Nga Lindja trupat sovjetike gjatë ofensivës së dimrit ishin duke ardhur deri 100 kilometra larg kryeqytetit gjerman. Më 30 prill Hitleri bëri vetëvrasje në “bunkerin e fyhrerit”. Më 8 maj Gjermania naziste kapitulloi. Nga fundi i luftës llogariteshin përafërsisht 60 milionë të vdekur.
Në Jaltë, ku dikur cari dhe aristokracia ruse kalonin pushimet, duhej që pas bisedimeve të para në Teheran, po me ftesën e Bashkimit Sovjetik, të përcaktoheshin vijat kryesore të rendit të ri të paqes dhe denazistifikimi i Gjermanisë. Të tre krerët kryesorë duhet edhe të përcaktonin bazat e ndarjes së pushtetit të fuqive. Këtu bënte pjesë edhe projekti i organizatës më të rëndësishme globale, Kombeve të Bashkuara.
Fuqitë fituese shpresojnë për bashkëpunim afatgjatë
Konferenca ndodhet para detyrës së vështirë të pajtojë interesat e ndryshme të fuqive fituese të luftës. Ajo që e bashkon Stalinin komunist me kapitalistët Roosevelt dhe Churchill është armiku i përbashkët: Gjermania. Ende nuk ka shenja, se nga aleatët e koalicionit kundër Stalinit me fillimin e Luftës së Ftohtë në vitin 1947 do të krijohen kundërshtarë. “Churchill dhe Roosevelt kanë komunikuar gjatë gjithë viteve të luftës dhe janë takuar. Me Stalinin ata ishin takuar vetëm njëherë në Teheran në vitin 1943. Ata ishin të mendimit, se bashkëpunimi edhe pas luftës do të zgjaste me vite, në mos me dekada dhe ishin për këtë të gatshëm për kompromise”, thotë historiani i Universitetit të Këlnit, Jost Dülffer në bisedë me DW.
Si Churcilli edhe Roosevelt nuk janë dakord me vendin e konferencës. Presidenti amerikan i sëmurë rëndë duhet të përshkojë 11.000 kilometra rrugë me anije dhe avion. Kurse nga Churchilli janë ruajtur fjalët se “nuk gjendej vend më i keq, se Jalta edhe sikur të kërkoje dhjetë vite.” Kurse për strategun e pushtetit, Stalin është shumë e rëndësishme që takimi zhvillohet në tokën sovjetike, me qëllim që si mikpritës ai t’i ketë frenat në dorë. Ai kujdeset që të instalohen telefona dhe telegrafë. Për të përgjuar delegacionit ai vendos mikrofonë përgjues madje edhe në shkurret para Pallatit Livadija. Për rast emergjence është afër një bunker i sigurtë nga bombat. Kamarierë nga Moska servirin ushqimet më të mira, një kontrast i thellë me vendin që vuante nga uria. Synimi ishte krijimi i një atmosfere të çliruar.
Krerët perëndimorë nuk kanë iluzione
“Nga ana tjetër Roosevelt dhe Churchill e dinin, se me kë kishin të bënin. Që kjo diktaturë brutale sovjetike donte shtrirjen e influencës në Europë. Për këtë ata nuk kishin iluzione”, thotë eksperti i Europës Lindore, Wilfried Loth nga Universiteti Duisburg-Essen. Por plani i Stalinit funksionon. “Atmosfera ishte në përgjithësi e mirë. Herë pas here dikush ngrihej, zemërohej, donte të mos pranonte diçka, por në tërësi bëhej fjalë për kooperimin”, thotë historiani Dülffer. Deri më 11 shkurt 1945 të tre krerët e shteteve skiconin të ardhmen. Rezultatet: Churchilli ia doli të fusë edhe Francën si fuqi tjetër pushtuese në Gjermaninë që po mundej. Roosevelt mori miratimin e Stalinit për futjen e Bashkimit Sovjetik në Kombet e Bashkuara që planifikoheshin dhe futjen në luftë kundër Japonisë. Stalini arriti që territoret, ku trupat e tij ishin në marshim të mbeteshin nën Bashkimin Sovjetik.
Gjermania nuk duhej të rrezikonte kurrë më paqen botërore
Përveç kësaj kreu i Kremlinit përfitoi territore në kurriz të Japonisë dhe Kinës si edhe një të drejtë vetojë në Këshillin e ardhshëm të Sigurimit. Vendosjen e kufirit të Polonisë partnerët në negociata e shtyjnë për më vonë pas kapitullimit të Rajhut të Tretë. Në dokumentin përfundimtar të konferencës thuhet: “Vullneti ynë i patundur është që të shkatërrojmë militarizmin gjeman dhe nacionalsocializmin dhe të kujdesemi që Gjermania kurrë më të mos jetë në gjendje të rrezikojë paqen botërore. (…)Qëllimi ynë nuk është të shfarosim popullin gjerman, por vetëm kur të shkatërrohet nacionalsocializmi për gjermanët do të ketë shpresë për një jetë në dinjitet dhe një vend në bashkësinë e popujve.” Sipas historianit, Dülfer, secili arriti diçka. “Çështjet e vështira territoriale Stalini i vendosi për vete. Perspektivën për një kuadër të paqes e fituan fuqitë perëndimore.” Kurse historiani Loth gjykon se “për rezultatin e konferencës që të tre thanë, po është një rezultat i mirë, mbi bazën e të cilit mund të veprohet më tej.”
Pjesëmarrësit e konferencës ishin të mendimit, se pas lufte do të jenë ata që do të marrin vendimet në Europë. Në këtë kuptim Jalta ishte një konferencë që projektoi të ardhmen. “Por në realitet me konferencën e Jaltës nuk ishte fituar asnjë lloj paqeje afatgjatë”, thotë historiani Wilfried Loth. Edhe konferenca pasuese në Potsdam në Berlin më 17 korrik 1945 nuk i sqaroi të gjitha paqartësitë. Terreni për luftën e ftohtë pasuese u përgatit.
Konferencë e re e superfuqive për të tashmen
Por cili ishte rezultati më i rëndësishëm i Jaltës? Krahas ujdisë së Bashkimit Sovjetik të bëhej pjesë e Kombeve të Bashkuara, historiani Loth përmendi edhe një dakordim bazë që të mbahet përgjegjësi e përbashkët për të ardhmen e Gjermanisë. Përveç kësaj konferenca e Jaltës në Gadishullin e Krimesë krijoi një vetëdije për rëndësinë dhe nevojën e diplomacisë së nivelit të lartë. “Negociatat për rendin e pasluftës në Jaltë ishin në dorë të shefit, që tregonte, se kur krerët takoheshin ishin në gjendje të gjenin kompromise dhe të krijonin besimin”, thotë Loth. Kjo përvojë ishte udhërrëfyese për krizat e ardhshme. Dhe e kundërta: “Sa herë që mungonte diplomacia e nivelit të lartë ka pasur probleme.” Ashpërsimet gjatë Luftës së Ftohtë mund të shpjegohen edhe me atë se besimi i krijuar u shkri shumë shpejt, pikërisht sepse nuk pati më përpjekje për ta ruajtur atë.”
Sipas historianit Dülffer për shkak të gjendjes së rënduar nga krizat në botë aktualisht do të ishte me rëndësi një Konferencë e re e Jaltës nën një petk të ri. “Një konferencë e re e superfuqive do të kishte kuptim.” Bëhet fjalë për krijimin e një vetëdijeje të përbashkët, “që një rend i paqeje mund të krijohet, e që në Jaltë ishte ende e pranishme. Kjo vetëdije na duhet edhe sot.”/DW