Që nga nisja e epidemisë dhe deri tani, në vendin tonë numërohen gati 800 persona të prekur nga COVID-19. Nga këta 67% rezultojnë të shëruar sipas të dhënave që bën publike Ministria e Shëndetësisë.
Rasti më i fundi është ai i një 77-vjeçareje nga Fushë-Kruja. Nëna Hike ka lënë sot ambientet e Spitalit Infektiv dhe është rikthyer pranë familjes së saj.
Pikërisht qarku ku banon e moshuara është dhe rajoni më i prekur aktualisht nga koronavirus. Shkak për këtë janë bërë infektimet në fasoneri.
Nga 6 raste të fundit që janë rezultuar pozitivë me COVID-19, 5 i përkasin Krujës dhe Kurbinit.
Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID-19.