Dita e Fitores e këtij viti nuk do të nderojë thjesht dorëzimin e Gjermanisë naziste dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore, 77 vjet më parë. Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po shkon drejt fundit të muajit të tretë, frika është rritur në Evropë për një përballje më të madhe. Në Rusi, krenaria dhe patriotizmi i lidhur zakonisht me festën më të rëndësishme të vendit po përzihet me shqetësimin për atë që mund të sjellë kjo ditë. Ndërsa presidenti ukrainas tha se agresioni rus ndaj vendit të tij i dha fund 77 viteve paqe.
77 vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, agresioni i nisur nga Rusia në Ukrainë ka rritur frikën për një përballje më të madhe në Evropë. Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po shkon drejt fundit të muajit të tretë, autoritetet ukrainase u përgatitën për një intensifikim të pritshëm të sulmeve ruse përpara festës së Ditës së Fitores.
Në një fjalim emocional, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se e keqja është rikthyer në Ukrainë. Por ai tha se Ukraina dhe aleatët e saj do të fitojnë këtë luftë.
“Asgjë e keqe nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë. E keqja nuk mund të fshihet në një bunker. Kështu që ne do të kapërcejmë gjithçka. Dhe ne e dimë këtë me siguri, sepse ushtria jonë dhe i gjithë populli ynë janë pasardhës të atyre që mposhtën nazizmin. Kështu ata do të fitojnë përsëri. Dhe do të ketë përsëri paqe”, theksoi zoti Zelenskiy.
Moska e quan luftën e nisur një “operacion special ushtarak” për të çarmatosur dhe për ta “denazifikuar” Ukrainën. Dita e Fitores e këtij viti në Moskë nuk është thjesht një ditë që nderon fundin e konfliktit që mori fund 77 vite më parë.
Në Sheshin e Kuq në Moskë, shumë banorë janë të shqetësuar, por shumë prej tyre nuk flasin nga frika e ndëshkimit.
Sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore, pasi presidenti rus Vladimir Putin nisi agresionin në Ukrainë në 24 shkurt, e kanë çuar Rusinë drejt krizës më të keqe ekonomike që nga vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Disa rusë thonë se janë të shqetësuar për atë që po ndodh në Ukrainë duke patur parasysh lidhjet e ngushta familjare midis dy popujve.
“Lufta ndikon emocionalisht ju, sepse unë kam dy motra që jetojnë në Ukrainë. Sigurisht, është shumë e vështirë të komunikosh me ta tani, shumë e vështirë”, thotë një banore në Moskë.
Aktivistët e opozitës ruse thonë se mediat shtetërore japin një pasqyrë të pjesshme të konfliktit në Ukrainë, duke manipuluar atë që po ndodh në të vërtetë.
Për veteranin 97-vjeçar, Ivan Lisun, i cili sapo ka humbur shtëpinë e tij në qytetin e vogël Zolochiv në Ukrainë, nga bombardimet ruse, ka shumë pak për të festuar.
Veterani, i cili iu bashkua ushtrisë kur ishte 18 vjeç dhe luftoi për Bashkimin Sovjetik në Poloni, Bjellorusi dhe madje arriti deri në Gjermani, thotë se ndihet i tradhëtuar tani që Rusia sulmoi Ukrainën.
“Ndihem shumë keq tani, sepse kam shërbyer në Bashkimin Sovjetik për shtatë vjet. Duke mbrojtur atdheun e kujt? Rusisë apo Ukrainës? Ajo që po ndodh tani është më e turpshme se më parë. Që kur Putini u bë president, gjithçka u përkeqësua. Si mund t’i poshtëroni njerëzit kështu? Edhe këtu në Kharkiv”, thotë veteran 97-vjeçar.
Në aspektin diplomatik, Papa Françesku përsëriti të dielën apelin e tij për paqe në Ukrainë dhe u kërkoi udhëheqësve të dëgjojnë njerëzit “që duan paqen dhe e dinë mirë se armët nuk e sjellin kurrë atë”.
Duke folur gjatë lutjeve të së dielës, ai u bëri thirrje besimtarëve katolikë të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit të luten për paqen “përballë çmendurisë së luftës”.
Britania do të ndihmojë Ukrainën me 1.3 miliardë paund ndihma të tjera, ndërsa për të shprehur sërish mbështetje për qeverinë e Kievit presidentja e Parlamentit Gjerman, Baerbel Bas vizitoi kryeqytetin ukrainas.
Në një video konferencë ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, udhëheqësit e G-7 do të diskutojnë për agresionin rus si dhe mënyrat për të ndihmuar Ukrainën.
Udhëheqësit e Britanisë, Kanadasë, Francës, Italisë, Japonisë, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë premtuar miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.