Partia Demokratike nën kujdesin e kryedemokratit Sali Berisha organizon këtë të premte një Ekspo-Libër për 8 Dhjetorin, ditën e Rinisë, me foto dhe libra për Lëvizjen e Dhjetorit në selinë e PD. Vetë Berisha në fjalën e tij tha se ky 8 Dhjetor është “një kushtrim për çdo shqiptar që të ngrihemi dhe të përmbysim diktaturën e re”.
“Sot ka një njeri, një armik të egër të vlerave të demokracisë dhe ky është Edi Rama, që rilindi faktikisht monizimin. Rilindi një monizëm kulmor. Një kryeministër që së fundmi rrëmben një nga një të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës. Pa lëre me për qytetarët se sa mund të bëhet fjalë. Kjo diktaturë nuk ka kampet e përqendrimit, siç kishte diktatura hoxhiste. Por as burgjet e mbushura me të burgosur politikë dhe skuadrat e pushkatimit. Por kjo diktaturë është faktuar si diktatura më genocidale e historisë së kombit shqiptar. Diktatura komuniste ushtroi gjenocid ndaj shqiptarëve, por në kuptimin e nenit të konventës së OKB, përmasat e gjenocidit që shkaktoi diktatura e Edi Ramës, duke krijuar kushte për shpopullimin, tejkalojnë disa herë diktaturën komuniste. Arrin në 1.1 milionë shqiptarë të braktisin Shqipërinë në 10 vite. Doktrina e Çubrilloviçit u pasurua nga Edi Rama me elementë shkatërrimtarë si rrënimi i votës, shkatërrimi i opozitës, përdorimi i pushtetit për shkatërrimin e opozitës”.
“Në këtë kontekst, ne përjetojmë sot rënien e dhjetorit 1990. Ne përjetojmë një diktaturë të re, një diktaturë shkatërrimtare, jo vetëm për vlerat e demokracisë, por për kombin në tërësi. Sot, Edi Rama mblidhet se mendon se na impresionon. Mblidhet me 8 dhjetor. Ai mblidhet në mendësinë e të atit të tij dhe dajës së tij xhelat. Më 11 dhjetor, zëri më vokal për të përdorur forcën kundër studentëve në plenumin e Komitetit Qendror që u mblodh atë ditë, ishte Baba Pilo, ishte Spiro Koleka, e përdora siç e përdorte Edi Rama. Dhe sot ai ka rikthyer egërsisht pushtetin monist të etërve të tij. Pra, ky 8 dhjetor që është bërë i pavdekshëm në libra, i pavdekshëm në ndryshimet epokale të Shqipërisë, është një kushtrim për çdo shqiptar, të ngrihemi me sakrifica, me vendosmëri, të përmbysim diktaturën e re, diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve”.
“Por, meqë jemi te librat, duhet të them dy fjalë. Revolucioni i vitit 1990 është ngjarja më e dokumentuar në historinë tonë kombëtare. Nuk ka një ngjarje të dytë në tërë historinë të jetë dokumentuar siç është dokumentuar pothuajse për çdo orë ky revolucion, që nga dita e parë deri në triumfin e 22 marsit 1992. Kjo falë dhe një fakti, të themi të vërtetën. Triumfi i tij ishte triumf i masave, por fillimi i tij ishte fillimi i një grupi studentësh dhe intelektualësh, të cilët kanë meritën e veçantë. Përshkruan të gjitha momentet që ata kanë përjetuar gjatë këtij revolucioni. Në këtë kontekst, libri i shkrimtarit Besnik Mustafaj, i pranishëm të nesërmen e fillimit të lëvizjes studentore dhe në vazhdim në çdo moment dhe në çdo kohë, përbën autobiografinë më të shkëlqyer të këtij revolucioni. Përbën njëkohësisht analizën por dhe sintezën e zhvillimeve të tij. I tillë është libri i publicistit të mirënjohur, Blendi Fevziu. Edhe ai dëshmitar objektiv, pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve. Të tilla janë publikime të tjera dhe qindra e qindra kujtime të dhjetoristëve për ditët në të cilat ata u shfaqën në horizontin e Shqipërisë si çlirimtarë dhe që merituan vlerësimin si engjëjt e demokracisë apo studentë liberaratorë”.