Tetë gola të shënuar, spektakël pa fund dhe gjithçka që duhet për një ndeshje futbolli. E tillë ishte krye-sfida e javës në Premier League mes Chelsea-t dhe Manchester City-t, me dy skuadrat që ndanë nga një pikë falë barazimit spektakolar 4-4.
Dy herë Haaland, Rodri dhe Akanji shënuan për ‘citizens’ që morën tre herë epërsinë, por nuk e mbajtën dot, teksa blutë e Londrës shënuan me Thiago Silva, Sterling, Jackson dhe ish-i Palmer me penallti në shtesë.
Protagonist në këtë takim edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, që e nisi nga stoli dhe zbriti në fushë në minutën e 88’ dhe në prekjen e parë të topit, lëvizi mirë në zonë, duke u ndalur me faull nga Dias, teksa arbitri akordoi menjëherë penalltinë që solli edhe barazimin.
Maksimalisht efikas sulmuesi kuqezi, që preku vetëm një herë topin dhe e shndërroi në penallti për Chelsea-n, që merr një pikë të rëndësishme dhe mbi të gjitha jep sinjalin se po rikthehet në nivele të larta.
Armando Broja nuk luante në Premier League prej 7 tetorit, kur ishte titullar ndaj Burnley, por u zëvendësua pas 45 minutave sepse ndjeu sërish shqetësime në gju.