Gjykata e Posaçme dënoi fillimisht me 12 vite burg ish-efektivin e policisë Gjergji Kohila për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit kriminal. Kohila do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burg.
Ish-shefi i Sektorit të Krimeve në Policinë e Vlorës është hetuar në të njëjtën dosje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ish-kreun e Policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe ndodhet prej vitesh në kërkim.
Sipas SPAK, Kohila ka qenë i implikuar në aktivitetin kriminal të të ashtuquajturës “Banda e Habilajve” duke i lehtësuar atyre veprimtarinë në trafik. Për të njëjtën dosje në kërkim ndodhet edhe ish-efektivi tjetër Sokol Bode, gjykimi për të cilin vazhdon i veçuar.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit është në pritje të plotësimit të treshes gjykuese për të caktuar një datë për rigjykimin e Tahirit dhe Çelës, të gjetur në Shkallë të Parë fajtor për “Shpërdorim detyre” me argumentin se kishin lejuar kanabizimin, vendim i cili u prish nga Apeli.