82 është numri i personave të infektuar në vendin tonë, nga 331 teste të kryera gjatë 24 orët e fundit. Në përditësimin e saj për mediat, Ministria e Shëndetësisë tha gjithashtu se një tjetër pacient ka humbur jetën.
“Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen një 69 vjeçare nga Shkodra, e shtruar në gjendje të rëndë, megjithë trajtimin dhe përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 331 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive”.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 32 raste në Tiranë, nga 7 raste në Kavajë, Fier, 5 në Korçë, nga 4 raste Shkodër, Durrës, Elbasan, nga 3 raste në Krujë, Kurbin, nga 2 raste në Lezhë, Vlorë, Mirditë, Dibër, dhe nga 1 rast në Has, Lushnje, Mallakastër, Kukës, Ura Vajgurore.
Ministria e Shëndetësisë ju drejtohet të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me Covid-19, por që janë në kushte shtëpie, të respektojnë karantinimin e detyrueshëm, si dhe kushdo që është i dyshuar, duhet të qëndrojë i izoluar dhe të telefonojë 127 nëse ka shenja të sëmundjes.
Ministria e Shëndetësisë informon gjithashtu se bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon edhe përfshirjen e institucioneve jo-publike për rritjen e kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet për fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jo-publike, me kushtin që të jenë të validuara.
“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen përsa i takon validimit dhe performancës nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërkohë do te vijojë kryerja e testeve serologjike për personelin shëndetësor, dhe një kampionim i popullatës do të kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik“.