Ministria e Shëndetësisë raportoi të enjten se pas 401 testesh të kryera ishin diagnostikuar me COVID-19 edhe 82 persona të tjerë duke e çuar bilancin e të infektuarve në 3,188 raste.
Në një konferencë për shtyp nga ministria, Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se në 24 orët e fundit nuk ishin shënuar viktima të tjera dhe se bilanci mbetet 83 vdekje.
Kjo është hera e parë që prej 22 qershorit që nuk regjistrohen vdekje në 24 orë. Deri më tani në vend shënohen 83 humbje jete nga sëmundja.
Sidoqoftë lajm negativ mbetet fakti se po shtohen të sëmurët rëndë në spital. Cami tha se aktualisht ka 84 pacientë të shtruar, 11 prej të cilëve në terapi intensive në gjendje serioze, 6 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar në 1832 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht janë 1,273 raste “aktive”: 509 në Tiranë, 215 në Durrës, 173 në Shkodër, 116 në Vlorë, 64 në Lezhë, 41 në Fier, 32 në Korçë, 32 në Kukës, 24 në Berat, 17 në Gjirokastër, 17 në Dibër.
Në total autoritetet kanë kryer 27,087 testime me një mesatare prej 9,674 testesh për çdo 1 milionë banorë, çka mbetet mesatarja më e ulët në rajon.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët që të tregojnë kujdes për respektimin e rregullave.
“Ruani distancën nga të tjerët të paktën 1.5 metër; Mbani maskë në ambiente të mbyllura dhe kudo ku nuk mund të ruani distancën; Ruani higjienën personale dhe kolektive”.