Gjykata e Apelit Tiranë dënoi përfundimisht me 9 vjet burgim Violeta Donajn. 38-vjeçarja vrau në vitin 2018 bashkëshortin e saj, Kujtim Donaj.
Donaj ishte dënuar me 17 vite burg për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa Apeli e uli në 9 vite burg, me arsyetimin se kemi të bëjmë me një vrasje të kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike.
Violeta Donaj e kreu vrasjen e bashkëshortit në një tezgë të tregut të Milotit, ku çifti shiste çdo fundjavë rroba të përdorura për të ushqyer familjen.
Dëshmitarët në atë kohë treguan se mes tyre kishte pasur debat dhe më pas gruaja kishte nxjerrë armën duke e vrarë të shoqin. Një tregtar i tha policisë se viktima i kishte kërkuar gruas të bënte sa me shpejt 10 mijë lekë të vjetra xhiro dhe t’ia jepte atij.
Violeta Donaj shprehu pendesë për krimin menjëherë pas ngjarjes dhe iu tha hetuesve se bashkëshorti në mënyrë të herë pas hershme konsumonte alkool, ishte i dhunshëm dhe shpenzonte para në bixhoz. Çifti kishte dy fëmijë.