Politika Albin Kurti vjen në Tiranë si kryeministër, çështjet e nxehta në tryezë...

Albin Kurti vjen në Tiranë si kryeministër, çështjet e nxehta në tryezë me Ramën

Vizita e parë e Albin Kurtit si kryeministër do të jetë në Shqipëri. Një javë pasi mori miratimin e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë, Kurti do të pritet për herë të parë në Tiranë si kryeministër.

Ai do të pritet në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama, për të takuar me pas kreun e Kuvendit, Gramoz Ruci. Kryeministri i Kosovës do të takohet më pas në presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta, dhe më pas me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Tirana ishte e para që Kurti vizitoi edhe pas fitores në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës në tetor, kur u takua për pesë orë kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama. Kësaj radhe takimi mes dy kryeministrave pritet të zgjasë vetëm një orë, por çështjet e hapua në tavolinë ka të ngjarë të mbeten të njëjtat.

Takimi me Ramën në tetor u pa edhe si një “shkrirje e akujve” pasi ata po bënin më shumë se 14 muaj pa u takuar. Kurti ka premtuar se si kryeministri i ri do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë dhe me kryeministrin e Shqipërisë, por nisma e fundit e Ramës për Shengenin Ballkanik duket se ka rritur tensionet mes tyre.

Ideja e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vucic për krijimin e një Mini-Shengeni rajonal, ka të ngjarë të jetë sfida e dytë më e madhe e kryeministrit Albin Kurti.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që po qëndron larg mini-Shengenit Ballkanik, duke çuar edhe në një përkeqësim të marrëdhënieve mes Ramës dhe Kurtit.

Ashtu si edhe udhëheqësit e tjerë politikë në Kosovë, as Kurti nuk e ka kursyer revoltën, duke e cilësuar mini-Shengenin si një nismë që fuqizon ndikimin e Serbisë në rajon. Zyrtarët e partisë së tij janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani.

Duke folur pas qëndrimeve të mbajtura nga kryeministri Edi Rama kundër bojkotit të mbledhjes së liderëve të rajonit të Ballkanit, të takimit të zhvilluar në Tiranë, Kurti u shpreh se rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë dhe se asnjë popull nuk mund të qëndrojë mes tyre.

Nga një festë me të rinjtë e Vetëvendosjes në Tiranë, Kurti tha se duhet të jemi të kujdesshëm me Serbinë, pasi kjo e fundit para tre vitesh ka tentuar një puç bashkë me Rusinë.

Kurti tha se përpara se të hidhen të tilla ide për bashkëpunimin me Serbinë, do të ishte më mirë një bashkëpunim edhe më i fuqishëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.