Jose Mourinho është i lirë të kërkojë një skuadër, për të vijuar karrierën e tij si trajner. Manchester United i pagoi 55-vjeçarit një dëmshpërblim prej 15 milionë paund, për shkarkimin e tij përpara përfundimit të kontratës.
Trajneri Mourinho u largua nga drejtimi i “djajve të kuq” më 18 dhjetor, për shkak të rezultateve të dobëta të skuadrës gjatë pjesës së parë të sezonit.
Lajmi për pagesën e dëmshpërblimit të Mourinhos u publikua nga tabloidi britanik “Daily Mail”, që citoi një burim pranë stafit të trajnerit portugez.
“Nuk ka më asnjë problem me kontratën e Jose Mourinhos me Manchester United. Gjithçka është zgjidhur”, theksoi personi që është pranë 55-vjeçarit. “Jose është i lirë të nisë punën me një skuadër tjetër, por ai nuk e ka me ngut. Ai është i qetë dhe do të presë fundin e sezonit, nëse do të jetë e nevojshme”.
Mourinho zgjati kontratën vitin e kaluar me Manchester United, deri në vitin 2020, me opsion rinovimin e saj edhe për një tjetër vit. Ditët e fundit, emri i tij është lidhur me klubet e Realit të Madridit dhe Benficës, por deri në këtë moment nuk ka asgjë konkrete në lidhje me këtë çështje.