Aktualitet Policia: Oriola Marashi u kap me lëndë narkotike. Reagon e ëma

Policia: Oriola Marashi u kap me lëndë narkotike. Reagon e ëma

Policia e Shtetit ka konfirmuar shoqërimin e modeles Oriola Marashi.

Kjo e fundit sipas burimeve zyrtare, më datë 8 shkurt, u ndalua nga forcat e rendit në rrugën “Dritan Hoxha” dhe nga kontrolli i automjetit, iu gjet dhe iu bllokua “me cilësinë e provës materiale 1.9 gram lëndë narkotike e llojit kanabis sativa”.

Emri i njohur i ekranit shqiptar sipas policisë është referuar për hetim sipas akuzës nga neni 283/1.

Oriola Marashi u ndalua, ndërsa ishte e shoqëruar nga dy persona.

Mësohet se modelja ka thënë për efektivët që lënda narkotike është për përdorim vetjak dhe se ajo është përdoruese prej rreth një viti.

Madje Oriola ka nënvizuar se shoqëruesit e saj në makinë nuk dinin gjë për këtë, shkruan Panorama.

Ndërkohë, pas lajmit ka reaguar edhe mamaja e saj.

Në prononcimin dhënë “Gazeta Shqiptare“, nëna e modeles, Xhoi Jakaj, e indinjuar me lajmet që qarkullojnë online shprehet se gjithçka është trillim nga dashakeqësit dhe se Oriola nuk ka sesi të jetë ndaluar nga policia mbrëmë, pasi gjendej në Vjenë, ku dhe vijon të jetë.

“Është një trillim i shëmtuar. Nuk ka asgjë të vërtet. Oriola nuk është ndaluar as mbrëmë as kurrë nga policia. Ajo prej disa ditësh gjendet në Vjenë ku është e angazhuar me projekte të reja në fushën e modelingut. Gjithçka është një shpifje për ta dëmtuar. Këto lajme kemi vendosur ti ndjekim penalisht. Do të ketë një padi për cilindo që ka publikuar këtë lajm krejtësisht të pavërtetë”, ka thënë Jakaj.