Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë rrëzoi vendimin e Ministrisë së Financave, që i anuloi licencën e shfrytëzimit të dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit, duke i dhënë të drejtë kompanisë “Albanian Duty Free Distribution”, me pronare Elona Çaushin.
Vendimi i gjyqtarit Avni Sejdi është dhënë në prani të përfaqësuesve diplomatikë të Ambasadës Amerikane dhe të Ambasadës Gjermane në Tiranë, që ndoqën nga afër këtë proces. Ambasada Amerikane shfaqi interes për këtë proces, që ambasadorja Yuri Kim e cilësoi si test për klimën e biznesit në vend, për shkak se tenderin për shfrytëzimin e hapësirës së tregtimit pa taksa në mjediset tranzite të Aeroportit të Rinasit e kishte fituar një kompani amerikane.
Gjyqtari Avdi Sejdi pasi shpalli vendimin iu tha të pranishmëve: “Kur ta merrni vendimin e arsyetuar lexojeni me kujdes dhe do ta kuptoni se ku fle lepuri”.
Me këtë vendim të gjyqtarit Sejdi, çifti Gjoni do vijojnë kontrollin e dyqaneve pa taksa në Rinas, edhe pse për këto dyqane tenderin e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila ka lidhur edhe një kontratë me TIA që në korrik të 2019.
Menjëherë pas këtij vendimi, Ambasada Amerikane shpërndau një deklaratë ku nuk fshihej zhgënjimi për vendimin në fjalë.
“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”, thuhet në deklaratë.
Kompania “Albanian Duty Free Distribution” shfrytëzon prej kohësh hapësirën “duty free” në Aeroportin e Rinasit. Pronarja e vetme e saj, Elona Çaushi është bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni.
Keqardhje në lidhje me këtë vendim ka shprehur edhe Ministria e Financave, megjithëse ka qenë po ky institucion që përmes dy vendimmarrjeve, fillimisht dhënien e licencës dhe më pas anulimin e saj, u bë shkak për këtë përplasje në gjyqësor.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj çështjes administrative civile, mbi vendimin administrativ për anulimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop”, thuhet në reagimin e MF.
Ministria nuk komenton vendimmarrjen, por thekson rëndësinë që ka sistemi gjyqësor në klimën e biznesit dhe forcimin e shtetit të së drejtësi, edhe si një prioritet i Qeverisë shqiptare.
Dhoma Amerikane e Tregtisë e cilësoi rastin në fjalë si shembull tipik i burokracive dhe pengesave të vazhdueshme që burojnë nga institucionet e drejtësisë shqiptare, që për investitorët e huaj janë absurde.
“Jemi të shqetësuar për ngjarjen, jo vetëm për investitorin amerikan në fjalë, por për mesazhin negativ që u jepet investitorëve të huaj që duan të vijnë në Shqipëri. Shumë njerëz, duke u nisur nga një rast i tillë, por edhe nga klima e përgjithshme, nuk e shohin klimën të mirë. Shumë investitorë të huaj mendojnë që që është e vështirë që të bësh biznes në Shqipëri. Ky është një rast që ka marrë një kohë shumë të gjatë”, deklaroi Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaçe.
Jaçe thotë se rasti i “International Cruise Duty Free” nuk është i vetmi dhe se ka edhe shumë kompani të tjera amerikane që po hasin vështirësi nga faktorë të shumë, që në përgjithësi e bëjnë klimën e biznesit të pafavorshme.