Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku foli në Euronews Albania për projektet e reja rrugore, ndër të cilat më i rëndësishmi është aksi rrugor Milot-By pass i Fierit. Ky aks nuk do të jepet si Partneritet Publik Privat, por si koncesion klasik BOT, (Ndërto-Opero-Dorëzo).
Balluku deklaroi në emisionin “Ilva Now” se brenda dy javësh, aksi rrugor ish-PPP Thumane-Kashar do të ofrohet në kuadër të segmentit rrugor Milot-By Pass i Fierit, 102 km i gjatë.
Koncesioni PPP Thumane-Kashar, i gjatë 21 km dhe i fituar me çmim 226 milionë euro nga një kompani vendase, u anulua nga qeveria në janar 2019. Sipas Ballukut, kontraktuesi privat e hodhi qeverinë në gjyq dhe kjo e fundit e fitoi gjyqin në shkallën e parë.
Ministrja theksoi se segmenti Milot-By Pass i Fierit, projekti më i gjatë rrugor i përgatitur ndonjëherë në Shqipëri, do të jepet me koncesionin klasik të tipit BOT (Ndërto-Opero-Dorëzo). Aksi është pjesë e rëndësishme e korridorit Adriatiko-Jonian, një projekt i Bashkimit Evropian, që nis nga Porti i Triestes dhe përfundon në Kallamata, Greqi.
Gara për këtë segment do të hapet pas dy javësh, me një kosto orientuese 500 milionë euro. Kushti i panegociushem është që ky aks rrugor të përmbajë rrugë dytësore. Milot-By Pass i Fierit do të jepet me koncesion 35 vjet, kundrejt pagesës për përdorimin e tij.
Pas një sërë aksesh rrugore të reja të projektuara me formulën PPP, është hera e parë që një aks rrugor i rëndësishëm nuk ngarkon Buxhetin e Shtetit për vitet që do të vijnë. Pagesat e PPP-ve nga Buxheti i Shtetit për këtë vit arrijnë në 120 milionë euro dhe do të rriten akoma më shume vitin e ardhshëm.