Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar nga autoritetet që të nisin menjëherë hetimet për shantazhet që i bëhen ambasadorit të BE, Luigi Soreca me një video kompromentuese me një zv/ministre të qeverisë. Në “Facebook”, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi ka kërkuar edhe nga mediat që të mos bëhen palë e këtij shantazhi.
“Presidenti Meta duke shprehur solidaritetin e Tij të plotë me ambasadorin e BE, si edhe me një zv/ministre të Qeverisë, e cila mësohet se gjithashtu është përfolur paturpësisht në këtë çështje, bën me dije se shumë shpejt do t’i kërkojë zyrtarisht institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të nisin menjëherë hetimet për zbardhjen pa asnjë vonesë të autorëve dhe urdhëruesit të këtij shantazhi të dënueshëm ndaj dy autoriteteve. Presidenti Meta i bën thirrje gazetarëve të distancohen urgjentisht nga çdo skenar i fabrikimit të lajmeve të rreme me qëllim shantazhimin e Ambasadorit të BE dhe çdo diplomati tjetër në Tiranë.”
Më tej në postim shprehet edhe vendosmëria e Metës për të kërkuar hetim të përbashkët në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë.