Sport Raiola: Pogba mund të kthehet te Juve, Ibra vendos vetë për të...

Raiola: Pogba mund të kthehet te Juve, Ibra vendos vetë për të ardhmen

Paul Pogba mund të rikthehet te Juventusi gjatë merkatos së verës dhe konfirmimet vijnë nga vetë menaxheri i kampionit të botës, Mino Raiola, në një intervistë të dhënë për mediat italiane pas përfundimit të ndeshjes mes Milanit dhe Juventusit.

“Vendi i dytë i preferuar i Pogba, është Italia dhe nuk do t’i vinte aspak keq të rikthehej te Juventusi. Megjithatë ka kohë, pasi duhet të mbyllet sezoni dhe të luhet Kampionati Europian, para se të kalojmë te vendimi për të ardhmen e tij”, deklaroi Raiola.

Më pas menaxheri i njohur ka folur edhe për dy klientë të tjerë te tij, që janë portieri i Milanit Gigio Donnarumma dhe sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Zlatan Ibrahimovic, të cilët ishin titullarë në përballjen me Juven.

“Donnarumma është i qetë dhe i përqendruar të bëjë më të mirën e të arrijë zonën Champions me Milanin, pasi kjo është shumë e rëndësishme. Për të ardhmen e tij, duhet të flasim edhe me klubin në lidhje me projektin dhe synimet. Sa i përket Ibrës, për momentin po argëtohet në fushë dhe në fund të sezonit do të jetë ai vetë që do të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë apo të tërhiqet”, tha menaxheri napolitan.