Kryesore Prapaskenat e takimit në Presidencë/ Meta, urdhër Bashës: Dua nga ty 10...

Prapaskenat e takimit në Presidencë/ Meta, urdhër Bashës: Dua nga ty 10 mijë njerëz në bulevard

Lulzim Basha duke dalë nga Presidenca

Një takim i shkurtër, por me tone mjaft të ashpra mësohet të ketë qenë biseda e djeshme mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe liderit demokrat Lulzim Basha në Presidencë. Idenë për të thirrur në tubim qytetarët më 2 mars, Meta e ka pasur të qartë para se të dilte këtë të mërkurë në konferencë për ta bërë publike.

Burime konfidenciale thanë ekskluzivisht për Report Tv, se Presidenti i ka kërkuar Bashës mbështetje në këtë aksion të tij kundër qeverisë për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Dhe jo vetëm mbështetje politike, siç kryedemokrati Basha i dha dje publikisht pas takimit me aleatët, por angazhim konkret duke siguruar qytetarë për të dalë në bulevard përpara kryeministrisë.

Dje kreu i shtetit trazoi sërish ujërat e politikës shqiptare ku përmes takimit me Bashën, kërkoi të përhapë në radhët e opozitës jashtëparlamentare, idenë e një grushti shtet nga ana e qeverisë. Burime nga ky takim, saktësojnë se nga ana e kryeopozitarit pati dilema dhe hezitim për t’i dhënë mbështetje Presidentit për nisjen e reagimi politik sërish me protesta, por megjithatë, u la të kuptohet qartazi refuzimi qoftë edhe me heshtje përballë toneve të larta nga ana e presidentit. Basha tha dje se do të ketë rotacion politik për të sjellë në pushtet opozitën e bashkuar, por me mjete demokratike.

“Porosinë” e presidentit, kryedemokrati Basha e përçoi tek aleatët e tij, mes të cilëve edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit, ku publikisht doli me qëndrimin e njëjtë si Meta, se qeveria po organizon një grusht shteti, jo të formës me tanke e ushtri, por me tentativat sipas tyre, për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Pika që i ndan, janë mjetet me të cilat do ta luftojnë këtë grusht shteti. Meta tha se e ka thirrur popullin, për të “shpartalluar me dekrete” grushtin e shtetit, (pa specifikuar mënyrën si do ta bëjë konkretisht këtë, por duke lënë të kuptuar shpërndarjen e parlamentit), ndërsa Basha me mjete demokratike (duke përjashtuar mundësinë e rikthimit të protestave), përmes dëgjimit dhe bashkimit të qytetarëve në një zë.

Kjo betejë e re politike mes Metës dhe mazhorancës nisi pas miratimit nga Kuvendi të ligjit që i heq presidentit kompetencën e betimit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Pritet të shihet nëse ditët në vijim, deri më 2 mars do të ketë ndonjë qëndrim surprizë të opozitës joparlamentare, për t’iu bashkuar tubimit të presidentit, raporton shqiptarja.com