Presidenti Ilir Meta e nisi ditën e enjte me një postim në Facebook ku fton të gjithë shqiptarët që në datën 2 Mars të dalin në bulevard për t’i dhënë, siç shprehet ai, “paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
“Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie. Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj, në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës. Shqipëria e para! Shqiptaria e shqiptarëve”, shkruan Meta.