Kryesore Profil/ Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, kush është kryespiuni i ri i SHBA

Profil/ Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, kush është kryespiuni i ri i SHBA

Richard Grenell do të vazhdojë ndërmjetësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë edhe pasi të vihet në krye të Inteligjencës amerikane.

“Mund të konfirmojmë që ambasadori Grenell do të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Gjermani, i dërguari special presidencial për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë dhe tani si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, njëkohësisht“, ka thënë në një komunikatë dërguar mediave, Dick Custin, zëdhënës i ambasadorit Grenell.

Custin ka konfirmuar se Grenell ka pranuar pozitën që i është ofruar nga presidenti Trump.

Ndërkohë presidenti Trump kishte ritheksuar gjatë ditës besimin e madh që ka në ambasadorin Grenell.

“Jam i kënaqur të njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet ushtrues detyre i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të”, ka shkruar presidenti Trump në Tëitter.

Kryespiuni i SHBA

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA). Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Nuk është e qartë nëse ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani.

Sipas ligjit federal, afati i mandatit për një ushtrues detyre në agjencitë ekzekutive, i emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, është 210 ditë.

Pastaj, kërkohet miratimi i Senatit.

Kush është Richard Grenell

Diplomati 53-vjeçar, ish-zëdhënësi i fushatës së Mitt Romney në vitin 2012, i deklaruar hapur si homoseksual, ka reputacionin e një njeriu brutal dhe të pa kompromis. Gjatë ushtrimit të detyrës si Ambasador i SHBA në Berlin, ai ka zemëruar shumë zyrtarë gjermanë me qëndrimin e tij jo simpatik. Në veçanti, ai akuzoi Berlinin për “fyerje” të Shteteve të Bashkuara pasi një ministër gjerman tërhoqi një paralele midis spiunazhit të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shumë politikanë gjermanë konsiderojnë se ai ndërhynte në çështje të brendshme qeveritare të Republikës Federale të Gjermanisë, shkruan “Neë York Times”, duke i vlerësuar aktet e tij si “një ndërhyrje të jashtëzakonshme në punët e brendshme, që zakonisht shmangen nga diplomatët”.

“Ai sulmoi ato që i quante politika ‘të dështuara’ të kufijve të hapur në Gjermani, që lejuan depërtimin e qindra mija refugjatëve sirianë. Ai kritikoi qëndrimet e Berlinit ndaj Iranit, politikat për shpenzimet ushtarake dhe investimin kinez në rrjetet botërore të telefonisë. Ai ka shprehur gjithashtu vendosmëri për të fuqizuar konservatorët në mbarë Evropën”, shkruan “Neë York Times”.

Edhe në Kosovë, Grenell ka lënë gjurmë me brutalitetin e vet. Ai nxiti keqkuptime të shumta si me këmbënguljen për përfundimin e shpejtë të dialogut po ashtu edhe me refuzimin e tij për tu takuar me kryeministrin Albin Kurti, në konferencën e sigurisë në Munih, për sa kohë që qeveria e tij nuk pranonte të hiqte taksat ndaj produkteve serbe. Në të kundër ai priti Hashim Thaçin me të cilin ka mbajtur gjithmonë një marrëdhënie të privilegjuar.