Një kompani braziliane, “O Amazon Air Water”, ka vendosur të shndërrojë lagështinë e ajrit të Amazonës në ujë në shishe dhe më pas ta shesë si produkt luksoz në Evropë.
Procesi është kurioz, por i thjeshtë. Objekti i kompanisë, i vendosur në qytetin e Barcelos, në shtetin e Amazonas, ka një sistem grumbullimi për të tërhequr dhe kondensuar lagështinë e ajrit në depozita sterile. Ashtu si në procesin natyror, uji kthehet nga gjendja e gaztë në të lëngshme pa ndonjë proces kimik dhe në mënyrë të qëndrueshme. Kompania ka kapacitetin të prodhojë deri në 5 000 litra në ditë.
Si pjesë e angazhimit të saj për mjedisin, “O Amazon Air Water” thotë se do të përdorë paketime qelqi, materiale 100% të riciklueshme dhe një kapak të biodegradueshëm.
Kompania synon të operojë në segmentin luksoz, prandaj, 750 ml shishe ujë do të shiten vetëm në Evropë, tani për tani, për 70 euro.
Për vitin e parë, projeksioni i shitjeve është gjashtë milionë shishe.