Arkeologët prezantuan sot zbulimin e mahnitshëm, sipas tyre, të një faltoreje nëntokësore nga shekulli VI para Krishtit, që mund të ketë qenë varri i mbretit të parë të Romës antike.
Faltorja i është kushtuar Romulus, i cili, sipas legjendës, themeloi Romën me binjakun e tij, Remus, më 21 prill 753 para Krishtit, dhe u bë sundimtari i saj i vetëm, pasi vrau vëllain e tij.
”Ajo përbëhet nga një sarkofag guri me gjatësi 1,4 metra, me një strukturë rrethore pranë saj, që supozohet të jetë një altar”, tha në një deklaratë Parku Arkeologjik i Colosseumit.
Ajo u gjet nën hyrjen e Curia Iulia, selia e Senatit në kohën e Jul Çezarit, nën një shkallë të ndërtuar në vitet ’30 gjatë rinovimeve të epokës fashiste të forumit.
”Vendndodhja e faltores brenda Forumit Romak përkon me vendin ku, sipas teksteve antike, u varros Romulus”, theksohet në deklaratë.
”Ajo hedh dritë mbi historinë e Romës”, tha drejtoresha e parkut, Alfonsina Russo.
“Vendndodhja e zbulimit… e bën shumë të mundshme që mund të ishte ajo që romakët e lashtë e konsideronin varrin e Romulusit”, shtoi ajo.
Monumenti u zbulua fillimisht në 1899, por u harrua shpejt, pasi domethënia e tij nuk u kuptua.