Nga Lutfi Dervishi
Kur sheh një gazetar që raporton me maska ti mendon se maska duhet për t’u mbrojtur nga virusi i panjohur dhe të gjithë duhet të nxitojmë për të blerë maska.
Kur sheh se gazetarët raportojnë nga i ashtuquajturi treg i kinezëve te medreseja në Tiranë ti mendon se duhet t’i qëndrosh larg këtij komuniteti.
Kur ndeshesh me pyetjen: a duhet të hapen pakot e porositura në Kinë ti mendon se virusi transportohet edhe përmes librave.
Kur lexon se në Itali është shënuar viktima e 7 brenda ditës ti mendon se e keqja po merr përmasa biblike.
Kur lexon për karantinën ti mendon se është bërë gati vendi për të izoluar të sëmurët.
Kur sheh në Instagram se në farmacitë e Tiranës shiten ilaçe që vrasin koronavirusin për 20 minuta ti mendon se Shqipëria ka zbuluar e para vaksinën kundër koronavirusit.
Gjithçka më sipër është e gabuar.
Maska janë më shumë që t’i përdorin ata që janë në gjendje gripi.
Tregu kinez në Tiranë nuk ka asnjë lidhje me provincën që është vatra infeksionit prej më shumë 100 ditësh.
Virusi i ri është infektues, por ky infeksion nuk përcillet përmes pakove.
Është e vërtetë se ka viktima, në total afro 2700, por vdekshmëria është më e ulët se 2%. Më shumë njerëz vdesin çdo ditë nga pickimi i mushkonjës se nga koronavirusi.
Nëse në Itali, kur raportohet për viktimat jepet edhe mosha, këtu të intereson më shumë numri në rritje.
Karantina nuk është për njerëzit e sëmurë, por të shëndoshë.
Ndërsa sa i përket shpikjeve me hudhra, speca djegës apo ilaçe që vrasin koronavirusin për 20 minuta- këtu jemi as më shumë as më pak, por 50 vjet pas kur mendohej (dhe veprohej) se po të pish vajguri zhduk tumorin.
Më shumë sesa një problem shëndetësor, koronavirusi po trajtohet si kronikë e zezë. Sensacionalizmi, steriotipet, fakenews, teoritë konspirative janë të pranishme dhe kontribuojnë për rritjen e panikut.
Për virusin e ri ka më shumë pyetje se përgjigje. Por fakti që ende nuk ka dalë antivirusi nuk do të thotë që ky boshllëk të mbushet me alarmizëm, fakenews dhe …gallatë.
Koronapaniku shkakton më shumë dëm se koronavirusi!