Politika Pse nuk je asnjanës si President? Si shpjegohet Meta në Euronews

Pse nuk je asnjanës si President? Si shpjegohet Meta në Euronews

Në një intervistë me studiot qendrore të Euronews, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, këmbënguli edhe një herë se në Shqipëri po vendoset një regjim njëpartiak me strukturë kriminale, që do të marrë nën kontroll të gjitha pushtetet, përfshi gjykatën kushtetuese dhe të drejtën e presidentit për të zgjedhur disa nga gjykatësit kushtetues, ndaj ai i ka bërë thirrje popullit që të dalë në rrugë e të mbrojë institucionet demokratike të vendit.

Kur u pyet nga drejtuesi i “Goodmorning Europe”, nëse bëhet fjalë për një përplasje politike midis presidentit dhe kryeministrit, i cili ka kërkuar ta shkarkojë për shkak se ka dalë përtej rolit të tij unifikues, Meta tha se nuk është aspak rasti dhe se e vetmja arsye që po i bën këto thirrje është për të mos lejuar që Shqipëria të rikthehet edhe një herë në regjimin njëpartiak të 30 viteve më parë.

Për sa i përket ndikimit që do të ketë kjo përplasje në vendimin e BE-së në lidhje me negociatat, Meta tha se ajo që ka për të bërë që negociatat të mbeten gjithnjë një ëndërr për shqiptarët është pikërisht sjellja e kësaj qeverie dhe përpjekjet e saj për të kapur të gjitha institucionet duke manipuluar opinionin publik, ndaj qytetarët duhet ta marrin situatën në dorë më 2 mars.

Intervista:

Euronews: Faleminderit që u bashkuat me ne në Goodmorning Europe. Mund të cilësoj që jeni presidenti i vendit, një rol që ka si synim të ruajë stabilitetin e të kërkojë bashkim kombëtar. Si e justifikoni thirrjen për rrëzimin e qeverisë?

Ilir Meta: Ju falënderoj për vëmendjen ndaj vendit tim. Dhe për zhvillimet e fundit që janë thelbësore për të ardhmen Europiane të Shqipërisë. Duhet të them që sot po jetojmë në një regjim njëpartiak. Rrezikojmë të kthehemi 30 vite më parë, kur ishim Koreja e Veriut e Europës.

Po jua shpjegoj tani. Kjo është harta kushtetuese e Shqipërisë, që përfaqëson të gjitha institucionet në Kushtetutën tonë, që duhet të garantojnë pavarësinë dhe barazinë e pushteteve. Ky është pushteti ekzekutivi. Ka një parti, atë në pushtet. Dhe një parti në zgjedhjet e paligjshme dhe antikushtetuese të kryera në të gjithë vendin.

Duhet të them që kjo parti, në bashkëpunim me krimin e organizuar, me dosjet që vazhdojnë të flenë në Prokurori prej tri vitesh, kanë manipuluar vullnetin e popullit duke mashtruar me zgjedhjet. E gjithë Europa ka vite që kërkon të bëhen hetime, por s’ka ndodhur asgjë.

Këtu është parlamenti. Është parlament një-partiak, me 122 deputetë, nga 140 në total. Sepse të gjithë deputetët e opozitës, nga zgjedhjet e fundit, i lanë parlamentin për shkak të sjelljes autokratike të shumicës…

Euronews: E kuptojmë çfarë doni të thoni. Me gjithë respektin… Zoti President. E kuptojmë ku çfarë doni të thoni për përbërjen politike.

Ilir Meta: Të gjitha këto institucione i përkasin një partie, si dhe kanë nën kontroll edhe gjyqësorin, nëpërmjet ligjeve anti-kushtetuese që i japin policisë rolin e prokurorit dhe të gjykatësit.

Euronews: E kuptoj qëllimin tuaj për përbërjen politike të vendit. Por ajo që duam të themi, është që ju si president duhej të ishit asnjanës. Vjet kërkuat që të anuloheshin zgjedhjet. Ky është një rast klasik i daljes përtej kompetencave. Duhej të ishit përmbi partitë politike.

Ilir Meta: Sigurisht. Por si mund të jem përmbi partitë kur shteti në Shqipëri është kapur plotësisht nga shumica.

Kur kontrollojnë çdo gjë dhe siç është treguar muajt e ditët e fundit, duan të kapin edhe fuqitë kushtetuese të presidentit për të emëruar gjykatësit kushtetues, duke u bazuar në manipulimine, me falsifikim dokumentesh, nëpërmjet një mënyre shumë kriminale.

Euronews: Por kushtetuta u votua në vitin 2016, dhe u vu në zbatim në vitin 2018. A nuk po i bëni këto vetëm për të shmangur shkarkimin?

Ilir Meta: Jo, është thjesht presion politik. Ka qenë e qartë, edhe OSCE-ODIHR ka konfirmuar në raportet e tyre se zgjedhjet njëpartiake nuk ishin të ligjshme.

Dhe siç thoshte, dekreti i presidentit për zgjedhje të reja vendore, gjithëpërfshirëse, në mënyrë të ligjshme, nuk ishte publikuar në fletoren zyrtare, për shkak të një urdhri të dhënë nga ministria e drejtësisë dhe qeverisë.

Nuk është një betejë midis presidentit dhe qeverisë. Është përpjekja e fundit, me ligjin e fundit, kundër kushtetutës, për të kontrolluar gjykatën kushtetuese, institucionin më të rëndësishëm që do të garantojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Ky është problemi. Prandaj i drejtohem popullit, sepse sovraniteti në republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit.

Euronews: Nga jashtë duket si luftë personale midis jush dhe kryeministrit, Edi Rama.

Ilir Meta: Jo, nuk është luftë politike. Po luftoj për rendin ligjor në Shqipëri, për të mbrojtur demokracinë nga regjimi një-partiak që ka zaptuar çdo institucion të pavarur në këtë vend, dhe tani do të kapë Gjykatën Kushtetuese.

Euronews: A nuk meritojnë shqiptarët më shumë se përplasjet politike? Është vend shumë i varfër, në krahasim me standardet europiane. Vjet patët një tërmet. A nuk ka përparësi populli se të shohë këtë spektakël?

Ilir Meta: Sigurisht që situata është kritike, sepse Shqipëria i ka shkelur standardet europiane, ka shkelur çdo ditë kriteret e Kopenhagenit, dhe tani është beteja e fundit për demokracinë dhe për të rikthyer rendin kushtetues në vend.

Euronews: Si mendoni se duhet të zgjidhet kjo përplasje?

Ilir Meta: Unë i kam shteruar të gjitha mënyrat institucionale. U përpoqa t’i shmang përplasjet institucionale. Por kanë qenë të vendosur që të kapin edhe Gjykatën Kushtetuese.

Kjo është diçka e papranueshme. Kam muaj që i paralajmëroj se kjo është vija e kuqe për presidentin, sepse përgjegjësia e parë dhe e fundit e presidentit është të mbrojë Kushtetutën. Vetëm Kushtetuta garanton bashkim kombëtar.

Euronews: Po në lidhje me thirrjen për protestë?

Ilir Meta: Dua që tani të dëgjohet zëri i qytetarëve, dhe ta shohë e gjithë bota se çfarë mendon populli shqiptar për këtë situatë. Jam i sigurt që do të japin një mesazh të qartë. Që nuk duan të kthehen në një regjim njëpartiak, siç kemi jetuar për 50 vite.

Euronews: Shqipëria do që t’i bashkohet BE-së, sigurisht. Duan që të fillojë procesi i pranimit. A nuk e bën kjo procesin të bëjë hapa pas?

Ilir Meta: Mik i dashur, ndërtimi i Gjykatës Kushtetuese, në bazë të Kushtetutës dhe integritetit, është një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman dhe partnerëve europianë. Shqipëria ka shumë probleme me rendin ligjor, por nëse vazhdojmë me këtë drejtim, hapja e negociatave do të mbetet ëndërr për vite me radhë.