Bota Marrëveshje historike mes SHBA-së dhe talebanëve

Marrëveshje historike mes SHBA-së dhe talebanëve

Pas një jave me “ulje të dhunës”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe talebanët kanë nënshkruar një marrëveshje historike ditën e shtunë, që do të shënojë nisjen e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani dhe që do të çojë në përfundimin e luftës më të gjatë ku është përfshirë ndonjëherë Amerika.

Marrëveshja u firmos në Doha të Katarit nga Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, kryenegociatori amerikan në bisedimet me talebanët dhe Mullah Abdul Ghani Baradar, kryenegociatori i talebanëve.

Në momentin e firmosjes ishte i pranishëm edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i cili tha: “SHBA-ja do të monitorojë nga afër nëse talebanët do t’i qëndrojnë besnikë angazhimeve të tyre. Në bazë të veprimeve të tyre, do të përshpejtojmë ose ngadalësojmë tërheqjen e trupave tona. Kështu ne do të sigurohemi që Afganistani të mos jetë më kurrë në shërbim të terroristëve ndërkombëtarë”.