Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan lajmëroi se të paktën 18 mijë refugjatë kanë kaluar kufirin në përpjekje për të arritur në vendet e Bashkimit Europian.
Erdogan tha se numri pritet të arrijë në 25 mijë deri në 30 mijë persona në ditët në vijim. Ai u shpreh se Turqia e kishte të pamundur të menaxhonte një numër të madh njerëzish në një përpjekje të vazhdueshme për t’u larguar nga lufta në Siri.
Greqia dhe Bullgaria, të dyja vende anëtare të Bashkimit Europian, u zotuan të mos i pranojnë emigrantët dhe i përforcuan kufijtë e tyre pas kërcënimit të Ankarasë për të rihapur kufirin.
Të shtunën forcat greke të kufirit u detyruan të përdorin gazin lotsjellës për të mbajtur larg refugjatët që u përpoqën të kalojnë nga Turqia, ndërsa këta të fundit qëlluan me gurë.
Një dëshmitar i tha agjencisë Reuters se ushtria greke nuk e la median të afrohej, ndërsa në zonë ndihej një erë e fortë gazi.
Vendimi i qeverisë turke për të hapur kufirin, pasoi me një sulm vdekjeprurës ndaj trupave turke nga forcat e qeverisë siriane. Mësohet se 33 ushtarë turq u vranë gjatë një bombardimi në Idlib, një provincë ku grupet rebele siriane e kanë ende në kontroll.
Forcat e qeverisë siriane, të mbështetura edhe nga Rusia, janë përpjekur të marrin Idlib-in nga grupet xhihadiste dhe fraksionet rebele të mbështetura nga Turqia.
Gjithashtu kreu turk i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të tërhiqet menjëherë nga Siria dhe ta lërë Turqinë të merret me regjimin e Assadit.